Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), si pjesë e punës mbështetëse për Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, po merr pjesë në punëtorinë e organizuar nga grupi i punës për hartimin e Projektligjit për Miniera dhe Minerale.
Ftesa për Institutin vjen si rezultat i punës sonë disa vjeçare në mbështetje të Komisionit parlamentar përgjegjës për fushën minerale dhe të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale si rregullator i sektorit. Në këtë punëtori do të hartohen dispozitat që kanë të bëjnë me hulumtimin, nxjerrjen dhe pasurimin e mineraleve që do të jenë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.
Nga Instituti ynë në këtë punëtori po merr pjesë hulumtuesi Dardan Abazi. Pjesëmarrës të tjerë përfshijnë deputetë të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Që nga viti 2012 kemi mbështetur dhe monitoruar punën e komisionit parlamentar përgjegjës për fushën e minierave dhe mineraleve dhe ka monitoruar dhe analizuar raportet e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Puna dhe kontributi i Institutit udhëhiqet nga programet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe qeverisjes demokratike.
Puna e grupit punues në hartimin e ligjit të ri është rezultat i monitorimit të zbatimit të ligjit Nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet ndërmarrë vitin e kaluar që konstatoi nevojën për ndryshim të ligjit. INDEP edhe në të kaluarën ka insistuar dhe inkurajuar rritjen e aktiviteteve të monitorimit të zbatimit të ligjeve me qëllim të rritjes së kualitetit të tyre dhe përgjigje më efektive të sistemit politik ndaj kërkesave për ndryshime ligjore.