Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), mori pjesë në konferencën “Toleranca në Ballkanin Perëndimor: kyçe për Evropën“ e organizuar nga Presidenca Bullgare e Bashkimit Evropian në Sofie të Bullgarisë. Me këtë rast, hulumtuesi dhe menaxheri i programit për demokratizim në INDEP, z. Dardan Abazi, mbajti një fjalë rasti në sesionin “Toleranca ndër-fetare: një vlerë e pandashme dhe universale e vlerave Evropiane”.
Ai theksoi rëndësinë që ka perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit në adresimin e shkaqeve kryesore që mund ta cenojnë tolerancën fetare. “Ashtu siç toleranca në Ballkanin Perëndimor është kyçe për Evropën, edhe Evropa është element vendimtar për mbërritjen e saj” – theksoi z. Abazi. Ai më tutje nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social si parakushte për krijim të kohezionit social dhe mirëqenies si mjetet më të mira për të adresuar sfidat e ruajtjes së tolerancës. “INDEP, gjithnjë e më shumë, duke ruajtur karakterin e institutit kërkimor, po punon në promovimin e këtyre vlerave në politikat publike si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal” – theksoi ai më tutje.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore të vendeve të Ballkanit, të shoqërisë civile, përfaqësues të bashkësive fetare si dhe shumë studiues e analist politikash të fushës.