INDEP prezantoi në Konferencën Rajonale: Shoqëria Civile Mjedisore në Evropën Juglindore të organizuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit

3 prill – Rinora Gojani, hulumtuese dhe koordinatore e programit për Zhvillim të Qëndrueshëm në INDEP, prezantoi lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Shoqërisë Civile dhe Institucioneve Shtetërore si dhe rolin e shoqërisë civile në krijimin dhe implementimin e politikave mjedisore edhe atyre të energjisë në Kosovë.

Ky prezantim ishte i fokusuar në punën e deritashme të INDEP në fushën e Zhvillimit të Qëndrueshëm si dhe në punën e përbashkët në mes të INDEP dhe Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. Ky bashkëpunim paraqet një formë të mirë që tregon për mundësinë e bashkëpunimit konstruktiv në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve të vendit. Sidoqoftë, bashkëpunimi në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore do të duhej të ishte edhe më i theksuar.

Gojani theksoi se një ndër indikatorët e një shoqërie demokratike është zhvillimi i shoqërisë civile, roli i saj për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes si edhe në aftësinë e saj për të marrë pjesë në zbatimin dhe monitorimin efektiv për pasojat dhe rezultatet e politikave të ndryshme publike.

Gojani gjithashtu theksoi rolin e shoqërisë civile e cila në të shumtën e rasteve shërben si zë i qytetarëve dhe urë lidhëse në mes të qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Po ashtu, Gojani shpjegoi mënyra përmes të cilave shoqëria civile mund të ndikojë në politikë-bërje dhe implementimin e atyre politikave, dhe ndikimi i tyre zakonisht nxit vendimmarrësit që të shtjellojnë problemet në bazë të të dhënave dhe hulumtimeve.

Konferenca u organizua në kuadër të programit ‘SENSE’ që synon në forcimin e shoqërisë civile mjedisore dhe u mbështet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë.