Drejtori Ekzekutiv i INDEP z. Burim Ejupi mori pjesë në takimet e OSBE-së me grupin e ekspertëve të Ballkanit perëndimor për luftimin e korrupsionit.
Ngjarja e organizuar në Vjenë mblodhi gjashtëdhjetë ekspert të Ballkanit perëndimor të luftimit të korrupsionit. Në cilësinë e panelistit me temë “Personat e ekspozuar politikisht dhe luftimi i korrupsionit”, z. Ejupi foli për sfidat në luftimin e korrupsionit në Kosovë dhe për rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe INDEP-it në shtytjen e institucioneve që të veprojnë.
Në fjalën e tij, z. Ejupi rrëfeu përvojën e INDEP në luftimin e politizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike. “Që nga hulumtimi i pavarur në Kuvend, reagimet në media e deri tek inicimi i rastit në Agjencinë Kundër-Korrupsionit, kampanja jonë për të kundërshtuar politizimin e bordeve e solli çështjen në vëmendje të publikut dhe ngriti vetëdijen për luftë kundër korrupsionit” – tha ai. Më tutje z. Ejupi shpalosi të dhëna në lidhje me numrin e rasteve të trajtuara të korrupsionit dhe problemin e numrit të madh të rasteve në rigjykim.
Pjesëmarrja dhe fjalimi i z. Ejupi ishin pjesë e programit të INDEP për qeverisje demokratike dhe bashkëpunim rajonal në kuadër të ngjarjes së organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).