Instituti për Politika Zhvillimore, (INDEP), mbajti sot punëtorinë “Cikli i politikëbërjes dhe pjesëmarrja e bizneseve në hartimin e politikave” ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të bizneseve vendore.
Instituti për Politika Zhvillimore, (INDEP), mbajti sot punëtorinë “Cikli i politikëbërjes dhe pjesëmarrja e bizneseve në hartimin e politikave” ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të bizneseve vendore. Në këtë tryezë u prezantua ciikli i politikëbërjes në Kosovë, ku përmes një prezantimi në mënyrë grafike INDEP ka paraqitur rrugën që ndjek një ligj që nga hartimi i koncept dokumentit e deri tek hyrja në fuqi, si dhe më pas processin e monitorimit të zbatimit të ligjit.
Përfaqësues të bizneseve e mirëpritën këtë punëtori dhe shprehën gatishmërinë e tyre që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron baza e tanishme ligjore dhe kushtetuese për të adresuar kërkesat e tyre. Përfaqësuesi i shoqatës së artarëve z. Enver Pakashtica u shpreh se kjo punëtori është e dobishme për angazhimin e tyre në të ardhmen dhe inkuadrimin e secilit në proceset me rëndësi politikëbërëse në vend.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i shoqatës së prodhuesve dhe përpunuesve të mishit, z. Burim Piraj, tha që problemi kryesor qëndron tek moszbatimi i duhur i ligjit. Ai theksoi më tutje se disa vendime ad hoc merren edhe në kundërshtim me ligjin dhe shprehu gatishmërinë që të ngrisë zërin për ndryshime ligjore bazuar në njohuritë e marra në këtë punëtori.
Gjatë punëtorisë u prezantua edhe platforma elektronike E-konsulta, e cila do të shfrytëzojë përparësitë që ka teknologjia në procesin e konsultimit publik me Qeverinë. “Kjo platformë do të ofrojë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë në mes të Qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit gjatë procesit të draftimit të ligjit brenda Qeverisë“, u shpreh Fitore Gashi nga OJQ Lens, e cila e prezantoi këtë platformë përpara pjesëmarrësve.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe z. Armend Ademaj, koordinator i komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. Ai prezantoi pjesën e ciklit të politikëbërjes në Kuvend dhe përvojën që ky komision ka pasur me Institutin për Politika Zhvillimore. “Ndryshimet janë të mundshme, mjafton që ju të njihni këtë cikël të politikëbërjes dhe të loboni sa më shumë tek vendimmarrësit”, tha ndër të tjera ai.
Punëtoria u organizua në vazhdë të aktiviteteve që INDEP organizon në kuadër të programit për demokratizim dhe është pjesë e projektit për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit. Ky projekt financohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe implementohet nga Instituti INDEP.