INDEP prezanton zhvillimet në fushën e BRE-ve në Kosovë në kuadër të projektit rajonal SEERmap

Më 15-17 nëntor, në Podgoricë, INDEP mori pjesë në punëtorinë ‘Electricity market design – market opening’ të organizuar si pjesë e projektit rajonal ‘South East Europe Electricity Roadmap – (SEERmap).’ Në këtë eveniment, përfaqësuesit e INDEP ishin të shoqëruar nga përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik Kosovë, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe Operatorit i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Temat kryesore të trajtuara në këtë punëtori ishin politikat energjetike dhe instrumentet mbështetëse për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE), rregullat dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian për BRE, sfidat e integrimit të BRE-ve në rrjetin e sistemit energjetik, si dhe u trajtuan problemet dhe mundësitë me të cilat ballafaqohen vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të promovimit të BRE-ve.

Me këtë rast, INDEP prezantoi zhvillimet në fushën e BRE-ve në Kosovë. Në mungesë të progresit në drejtim të arritjes së caqeve indikative për vitin 2020, u shqyrtuan mundësitë dhe alternativat për ridizajnim të politikave aktuale në nivel kombëtar dhe rajonal. Po ashtu, u diskutuan pengesat kryesore të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në tërheqjen e investimeve në këtë fushë, siç është rasti i procedurave administrative dhe mungesa e harmonizimit të tyre në nivel ndërinstitucional, vonesat në hapjen e One Stop Shop, mungesa e studimeve të mirëfillta për matjen e kapaciteteve kombëtare për prodhimin e energjisë nga BRE, etj.

Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit South East Europe Electricity Roadmap – (SEERmap), projekt ky që mëton të definojë skenarët e energjisë elektrike për vendet e Evropës juglindore me fokus të veçantë në politikat e dekarbonizimit. Nëntë institute kërkimore nga rajoni janë duke punuar se bashku me qëllim që të kontribuojnë në zhvillimin e skenarëve të energjisë elektrike deri në vitin 2050.