Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), sot e organizoi tryezën diskutuese “Agjencitë e pavarura dhe reforma e shumëpritur – ekzistimi, funksionimi dhe rekrutimi”.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Kuvendit që merren me agjenci të pavarura dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në hapje të tryezës, z. Burim Ejupi, Drejtor Ekzekutiv në INDEP, theksoi nevojën e domosdoshme që ka reformimi i agjencive të pavarura në drejtim të bërjes së tyre më funksionale. “Kuvendi i Kosovës nuk duhet të jetë vend ku përmes pazareve politike zgjidhen anëtar jomeritor në borde. Përkundrazi, ai duhet të shërbejë si një mekanizëm konfirmimi i personave që procesi i konkursit ia filtruar si më profesionalët”- tha në fjalën e tij z. Ejupi.
Në panelin diskutues ishte edhe z. Fehmi Pireva, Zyrtar Ndërlidhës i Kuvendit për Agjencitë dhe Institucionet e Pavarura. Ai foli për sfidat e shumta me të cilat përballet Kuvendi në përmbushjen e rolit mbikëqyrës ndaj agjencive të pavarura. “Ende kam shumë pyetje rreth të cilave nuk kam përgjigje definitive sa i takon numrit të agjencive, numrit të anëtarëve të bordeve, kompetencave të ndryshme etj etj. Shpresoj shumë që kjo tryezë dhe të tilla të ngjashme t’i japin përgjigje këtyre temave” – tha z. Pireva.
INDEP në këtë tryezë publikoi dy punime “Rishikimi i Agjencive të Pavarura me qëllim racionalizimin e funksioneve dhe ngritjen e performancës” dhe “Rregullimi ligjor i Agjencive të Pavarura”, të cilat u prezantuan nga eksperti i jashtëm i Institutit, Jeton Oruçi.
Përmes këtyre dy analizave, INDEP propozoi tri faza për reformimin e agjencive të pavarura. Në fazën e parë INDEP propozoi bartjen nga agjenci të pavarura në dikastere qeveritare të së paku këtyre agjencive:
- Akademisë së Drejtësisë
- Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
- Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale
- Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas
- Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës
- Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe
- Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës
Këto agjenci, sipas INDEP, përveç që kryejnë funksione ekzekutive, janë vetëm barrë buxhetore dhe mbikëqyrëse për Qeverinë, përkatësisht Kuvendin. Si të tilla, ato duhet shkrirë në Ministri, departamente dhe dikastere të tjera qeveritare.
INDEP gjithashtu ka propozuar analizimin dhe fuzionimin e një pjese të agjencive të pavarura dhe mundësinë e bashkimit të disa rregullatorëve në bazë të funksioneve.
Tryeza dhe punimi janë pjesë e programit të INDEP për Qeverisje Demokratike dhe projektit “Promovimi dhe inkurajimi i bashkëpunimit në mes të hisedarëve si mjet për instalimin e praktikës demokratike në vendimmarrje” financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).