Sot nis Java Globale e Edukimit mbi Median dhe Informacionin (EMI), e cila organizohet nga UNESCO. Ky event do të shërbejë si mundësi që hisedarët ta rishikojnë dhe festojnë progresin e arritur në procesin e ofrimit të Edukimit mbi Median dhe Informacionin për të gjithë.
Për shënimin e kësaj Jave, INDEP do ta publikojë dokumentin e parë të politikave që paraqet pikënisje për prezantimin e konceptit të Edukimit mbi Median dhe Informacionin në politikën publike të Kosovës. Po ashtu, gjatë kësaj Jave do të rilansohet fushata “MIL CLICKS” në rrjetet sociale për vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë e edukimit mbi median dhe informacionin në përditshmërinë tonë.
INDEP, si partner i UNESCO-s, këtë vit ka implementuar projektin “Ndërtimi i Besimit në Media përmes Edukimit mbi Median dhe Informacionin në Evropën Juglindore dhe Turqi” në Kosovë përmes të cilit janë organizuar konsultimet e para nacionale për EMI duke synuar zhvillimin dhe zbatimin e një strategjie nacionale për EMI që harmonizon të gjitha politikat nacionale në arsimin formal, joformal dhe atë informal, mediat si dhe shoqërinë civile dhe sektorin privat për EMI. Si rezultat i këtyre konsultimeve, është hartuar një dokument politikash që paraqet pikënisje për prezantimin e konceptit të Edukimit mbi Median dhe Informacionin në politikën publike të Kosovës.
Po ashtu, gjatë implementimit të këtij projekti, INDEP ka mbajtur edhe fushatën ‘MIL CLICKS’ në shqip, për vetëdijesimin e qytetarëve në Kosovë për rëndësinë e EMI në përditshmërinë tonë. ‘MIL CLICKS in Albanian’ është inovacion i UNESCO-s, partnerëve dhe qytetarëve në mbështetjen e shkathtësive të EMI përmes angazhimit në të menduarit kritik dhe klikimit të mençur. Kjo fushatë do të riaktualizohet këtë javë dhe përmes llogarive në Facebook dhe Twitter, me anë të kësaj fushate do t’u ofrojmë qytetarëve disa shkathtësi bazë, që informacionin që e marrin prej mediave dhe ofruesve të tjerë, ta lexojnë, kuptojnë e ta interpretojnë dhe ta vënë në funksion në mënyrë etike dhe efektive, për të zhvilluar mendim kritik e për të qenë aktiv në shoqëri.
Java Globale e Edukimit mbi Median dhe Informacionin nis me 24 tetor dhe përfundon me 31.