Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), duke përcjellur procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shprehë shqetësim të thellë në lidhje me fenomenin e nominimit të personave të njëjtë për procedurat e mëtejme. Nga lista prej 16 kandidatëve sa kanë kaluar sot në fazën e intervistimit, të paktën gjysma e tyre kanë qenë edhe më parë pjesë e këtij konkursi dhe nuk janë votuar nga kjo legjislaturë, pra nga po këta deputet.
INDEP vlerëson që një formë e tillë e dërgimit të emrave të njëjtë për votim në seancën e Kuvendit përbën një formë presioni ndaj deputetëve. Nuk mundet që për të njëjtën pozitë, të njëjtit persona të votohen nga po të njëjtit deputet dhe të pritet rezultat i ndryshëm, përveç nëse deputetët përballen me presion në votën e tyre. Një praktikë e tillë ka qenë prezente edhe në legjislaturat e kaluara me rastin e zgjedhjes së anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura. Kujtojmë rastin e Organit Shqyrtues të Prokurimit kur Qeveria dërgoi për miratim në Kuvend, emrat e njëjtë të cilët seanca e Kuvendit nuk i kishte miratuar vetëm dy muaj më parë. Shembull tjetër është edhe dërgimi tre herë radhazi i emrit të njëjtë për anëtar të bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave nga ana e Qeverisë. Kjo praktikë duhet ndaluar, sidomos tani me rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi. Ligji për Gjykatën Kushtetuese precizon që procedura për vlerësimin nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese bëhet sipas përvojës së krijuar për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të tjerë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës.
Pas skadimit të afatit të përcaktuar në paragrafin e mëparshëm, Komisioni, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, shqyrton nëse kandidatët e propozuar i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë dhe me këtë ligj, dhe hedhë poshtë kandidaturat që nuk plotësojnë këto kushte. Në zbatimin e kësaj përgjegjësie, Komisioni aplikon përvojat e krijuara për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve tjerë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës.
Tendenca për të krijuar një këso lloj praktike të procedimit të emrave të njëjtë, është praktikë e gabuar dhe shton presionin tek deputetët që të votojnë persona të cilët tashmë në një mënyrë i kanë refuzuar për këtë post. Gjithashtu, është e pakuptimtë që personat të cilët tashmë e kanë kaluar njëherë këtë fazë, të futen prapë në një proces.
INDEP nuk vë në dyshim përgatitjen profesionale të personave të përfshirë në këtë konkurs, aq më tepër kur tënjëjtit tashmë i janë nënshtruar testimit me shkrim dhe me gojë. Megjithatë, procedimi në seancë i personave të njëjtë të cilët nuk janë votuar më parë, është një praktikë jo e mirë dhe që vë në presion deputetët. INDEP kërkon që kandidatët e edhe personat e përfshirë në konkurs të cilët më parë i kanë kaluar të njëjtat procedura dhe janë dërguar në seancë të mos maltretohen dhe të njëjtit të mos rekomandohen edhe njëherë për votim në seancë. Gjithashtu, ne kërkojmë që të amendamentohet Ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe personat të cilët nuk marrin votat e mjaftueshme në seancë të mos mund të aplikojnë për një periudhë të caktuar për pozitën e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Së paku, të njëjtit persona nuk duhet ti dërgohen legjislaturës së njëjtë pasi asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që ata të marrin pëlqimin e deputetëve. Ne konsiderojmë që ky veprim, në të njëjtën kohë bënë presion të drejtpërdrejtë tek deputetët, por edhe cenon integritetin moral dhe pavarësinë të kandidatëve në të ardhmen si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.