Në kuadër të projektit ‘Efiçienca e Energjisë për Zhvillim: Përkrahja e sektorit publik dhe privat në ngritjen e kapaciteteve dhe implementim të masave të Efiçiencës së Energjisë” u përmbyll sot cikli i trajnimeve në 5 komuna të rajonit qendër, respektivisht në Komunën e Fushë Kosovës, Lipjanit, Obiliqit, Podujevës dhe Prishtinës.
Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte ngritja e kapaciteteve institucionale për të zbatuar planet e veprimit për Efiçiencë të Energjisë në nivel lokal. Kjo komponentë e projektit është fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve përmes një programi të specializuar ku kanë marrë pjesë më shumë se 130 zyrtarë publik, përfaqësues të sektorit privat dhe të organizatave joqeveritare.
Trajnimi u fokusua në kornizën strategjike, ligjore dhe institucionale për efiçiencën e energjisë; caqet e Bashkimit Evropian dhe ato të Kosovës për EE, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e komunave për arritjen e këtyre caqeve.
Në kuadër të këtij projekti do të ofrohet edhe mbështetja profesionale zyrtarëve komunal nga ana e ekspertëve të fushës drejt zbatimit dhe monitorimit të implementimit të planeve komunale për Efiçiencë të Energjisë.
Projekti ‘Efiçienca e Energjisë për Zhvillim: Përkrahja e sektorit publik dhe privat në ngritjen e kapaciteteve dhe implementim të masave të Efiçiencës së Energjisë,” është projekt që implementohet nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) si përfitues i granteve të skemës EURED të financuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.