Sot, u bë nënshkrimi i dy kontratave (në dy ceremoni të veçanta) në mes të INDEP dhe Ambasadës Britanike për projektet e INDEP me Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Industri, Tregti dhe Infrastrukturë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
1. Në vazhdë të punës së bërë që tri vite tashmë me Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Industri, Tregti dhe Infrastrukturë, INDEP do të vazhdojë punën më tutje duke u fokusuar në fuqizim të plotë dhe konsolidim të kapaciteteve të stafit të komisionit në fjalë.
Qëllimi i këtij projekti është mobilizimi dhe koordinimi më efektiv i institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e punës së Qeverisë së Kosovës , gjë të cilën INDEP synon të arrijë përmes vazhdimit të bashkëpunimit të saj me Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Industri, Tregti dhe Infrastrukturë dhe të gjitha palët e interesit. Po ashtu, një ndër qëllimet kryesore të projektit është mobilizimi dhe krijimi i një ambienti të mirëfilltë dhe funksional të llogaridhënies për të ndihmuar procesin e luftës kundër korrupsionit në nivelin qendror duke u fokusuar dhe duke hetuar e analizuar punën e agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës.
2. Projekti i dytë, shënon një fillim të ri për INDEP në angazhimin tonë në konsolidimin dhe përmirësimin e ambientit për aftësim profesional. Projekti më i ri i INDEP ka për qëllim që të promovojë aftësimin profesional në Kosovë si një nga mjetet më të shpejta dhe më efektive për të luftuar papunësinë.
Ideja e projektit është që të mundësohet dhe krijohet hapësira për bashkëpunim të ngushtë midis aktorëve kryesorë, pra të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Qendrave të trajnimit profesional si dhe komunitetit biznesor dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim përfundimtar krijimin dhe hartimin e politikave dhe strategjive në këtë fushë të cilat janë në përputhje dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të tregut të punës dhe gjendjes aktuale të zhvillimit ekonomik të Kosovës