Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) merr pjesë në panairin e organizatave të shoqërisë civile me rastin e shënimit të Ditës së Demokracisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Demokracisë, po merr pjesë në panairin e organizatave të shoqërisë civile që po mbahet në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Që nga themelimi i tij në fund të vitit 2011, Instituti INDEP ka promovuar parimet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, të qeverisjes demokratike dhe të sundimit të së drejtës. Pjesëmarrja në këtë panair, është mundësi e mirë që INDEP të paraqesë të arriturat dhe kontributin në konsolidimin e demokracisë në Kosovë.

INDEP po shpalosë punën e vet në tre shtyllat kryesore të misionit të organizatës: zhvillimin e qëndrueshëm, qeverisjen demokratike dhe bashkëpunimin rajonal. Qeverisja demokratike është ndër shtyllat kryesore të misionit të Institutit INDEP. Siç përkon edhe mesazhin e motos së sivjetme të Ditës së Demokracisë, INDEP e sheh zhvillimin e demokracisë në Kosovë si një proces të vazhdueshëm që buron fillimisht nga sundimi i së drejtës. Në vitin e fundit, INDEP ka udhëhequr përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile për vendosje të ligjshmërisë në emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike dhe për depolitizim të tyre. Përmes hulumtimit të pavarur, në Kuvendin e Kosovës, ne kemi ofruar alternativa për funksionalizimin dhe rritjen e mbikëqyrjes ndaj agjencive të pavarura. Të gjitha këto, në formë materialesh dhe diskutimesh po shpërndahen tek pjesëmarrësit në këtë panair.

Në programin e zhvillimit të qëndrueshëm, INDEP po prezanton publikimin e Indikatorëve të Zhvillimit të Qëndrueshëm punim ky që synon të ofrojë një pamje të përgjithshme të zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor dhe të identifikojë sfidat dhe mangësitë tek secila. Gjithashtu, INDEP po vazhdon të shpërndajë materiale të promovimit të efiçiencës së energjisë për të rinjtë, për amvisëri dhe për biznese, të promovimit të fondit të efiçiencës së energjisë, të liberalizimit të tregut të energjisë etj. INDEP po shoqërohet edhe nga Kosid – Kosovo Civil Society Consortium for Sustainable Development pjesë e të cilit është INDEP dhe Balkan Green Foundation.

Duke qenë partner i gjatë i Kuvendit të Kosovës, INDEP kontribuon në rritjen e kualitetit të legjislacionit zhvillimor, rritjen e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj trupave ekzekutiv, me theks të veçantë ndaj agjencive të pavarura; është anëtar i Forumit për Transparencë Parlamentare dhe ka kontribuar në hartimin e Deklaratës për Partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Organizatave të Shoqërisë Civile.

Panairi dhe aktivitetet e tjera janë organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare i Kuvendit të Kosovës për nderë të Ditës së Demokracisë. Motoja e sivjetme e organizimit është “Demokracia 2030”.