Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizuan tryezën me temë “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, efektet dhe sa jemi të përgatitur”. Në tryezë morën përfaqësues të Qeverisë, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të bizneseve, doganës, shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, theksoi rëndësinë që ka nënshkrimi i marrëveshjes si një mundësi për bizneset kosovare që të jenë pjesë e një tregu evropian të konsumatorëve dhe që të rritet eksporti i produkteve të Kosovës. “Megjithatë, është e pakuptimtë që tregu për biznese të hapet, ndërkohë që për njerëz të jetë ende i mbyllur andaj shpresoj që me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje në qershor, të kemi edhe liberalizimin e vizave” – shtoi ajo. Nga ana e tij, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Christof Stock vlerësoi marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si marrëveshja e parë kontraktuale në mes të BE-së dhe Kosovës. “Agjenda e zgjerimit nga ana e BE-së duhet të përcillet me agjendë të reformave nga ana e Kosovës”, theksoi z. Stock, duke përmendur gjithashtu rolin që institucionet mund të luajnë në zgjerimin e efekteve pozitive të MSA-së.
Drejtori Ekzekutiv i INDEP, z. Burim Ejupi foli për rëndësinë e ndërmarrjes së hapave të menjëhershëm të Qeverisë për funksionalizimin e Autoritetit të Konkurrencës. “Kemi një institucion që e mbron konkurrencën në treg i cili që nga viti 2013 është jofunksional për shkak të mosveprimit të Qeverisë dhe i bëj thirrje Qeverisë që të plotësojë bordin e Autoritetit me emra profesional e jo politik siç është bërë praktikë tashmë“ – tha z. Ejupi. Më tutje ai përmendi rolin që Agjencia për Standardizim ka dhe duhet të ketë në përgatitjen e bizneseve që të jenë konkurrente në tregun evropian duke ngritur cilësinë e produkteve dhe pajtueshmërinë me standardet evropiane të cilësisë.
Tryezës iu drejtua edhe z. Albert Matoshi, Drejtor Ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. Ai tha që edhe pse doganat do të kenë një ulje të të hyrave për shkak të lirimeve doganore për produktet evropiane, kjo do të i kontribuojë konkurrencës së brendshme dhe do të rrisë përfitimet për konsumatorët. Ai foli për rolin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare në informimin e bizneseve mbi përfitimet që ato mund të kenë nga hapja e tregut me Bashkimin Evropian dhe për mundësinë që bizneset kanë që të rriten edhe më tej dhe të rrisin kualitetin e produkteve. Në një diskutim të hapur, përfaqësuesit e bizneseve patën rastin të diskutojnë për sfidat me të cilat ata po përballen tani dhe për pritjet që ata kanë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Kjo tryezë u financua nga Open Society Insitute përmes Think Tank Fund