Mbahet takimi i bordit këshillëdhënës të INDEP

Të premten, me datë 31 mars 2017, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP mbajti takimin e organizuar me bordin këshilldhënës në Podgoricë. Ky takim njëherit përkon edhe me seancën konstituive me ç’rast u mirëpritën anëtarët e rinj të bordit. INDEP ka kënaqësinë që nga ky vit, me një mandat katër vjeçar, të ketë në rrethin e këshillëtarëve dhe partnerëve të ngushtë profesionistë nga fusha të ndryshme. Bordi këshilldhënës i INDEP përbëhet nga:

znj. Jill Adler, njëherit edhe kryesuese e bordit, e cila është drejtoreshë e projektit East West Parliamentary Practice; znj. Vjosa Musliu – asistente në fakultetin e Shkencave Politike në Bruksel, z.Darko Fras – kryetar i Sveta Trojica v Slovenskih Goricah në Slloveni dhe anëtar i bordit të Asociacionit Slloven të Qyteteve dhe Komunave; znj. Nevila Xhindi – profesoreshë dhe ish nënkryetare e Bashkisë Tiranë, si dhe z. Gjergj Filipaj – redakator në RTK3. Prezenca e këtyre individëve me eksperiencë të çmuar dhe përgatitje të lartë profesionale në fusha të cilat drejtpërdrejt lidhen me fushveprimtarinë e INDEP paraqesin një aset të çmueshëm për INDEP-in në katër vitet në vijim.

Në takimin e mbajtur të premtën në Podgoricë të kryesuar nga znj. Adler, u diskutua përformanca e deritanishme e INDEP si dhe u dhanë propozime për kahjen e fokusit që duhet të ketë INDEP në katër vitet në vijim. Bordi i ri aprovoi tre dokumente strategjike, respektivisht Manualin për Hulumtime, Strategjinë e Komunikimit dhe Vizibilitetit, si dhe Dokumentin Udhërrefyes mbi Metodat e Hulumtimit.

Po ashtu, me propozim të anëtarëve të bordit u dakordua që INDEP të zgjeroj fushën e veprimit, duke tejkaluar rolin në profilin e think tank dhe duke mundësuar dhe zgjerimin në aktivitete që kërkojnë angazhim në terren. Kjo me qëllim të afrimit me palët e interesit dhe ndërthurje të aktivitetit hulumtues me zhvillimet ne terren duke synuar po ashtu zhvillimin e partneriteteve lokale. Njëkohësisht, anëtarët e rinj u angazhuan për prezantimin e punës së INDEP në vendet nga ata vijnë me qëllim të krijimit të partneriteve të reja përtej kufinjve dhe mundësisë së krijimit të sinergjive me projekte të ndryshmë nga këto vende dhe anasjelltas.

Anëtarët e bordit përshëndeten punën e INDEP të prezantuar përmes raportit vjetor për vitin 2016, me ç’rast ata, në mes tjerash, vlerësuan lartë punën aktive të INDEP me komisionet parlamentare, angazhimin për promovimin e efiçiencës së energjisë, si dhe projektin INVESTOMETRI që sipas tyre mund të gjej fare lehtë aplikim dhe në vendet e rajonit.

INDEP falenderon përzemërsisht anëtarët e bordit këshilldhënës dhe mbetet i hapur për opcionin e zgjerimit të bordit, gjë e propozuar nga vetë anëtarët, me qëllim të zgjerimit të rrjetit të miqëve të INDEP, të cilët do të kontribojnë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e aktiviteteve dhe performancës së institutit tonë.