Mbikëqyrja e mangët dhe mungesa e pavarësisë dhe funksionalitetit po dëmtojnë seriozisht misionin e agjencive të pavarura në Kosovë

Në tryezën “Funksionalizimi i punës së agjencive të pavarura, sfidat dhe rruga përpara” e organizuar sot nga Instituti për Politika Zhvillimore, deputet të Kuvendit, përfaqësues të Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile u pajtuan që rregullimi aktual i funksionimit të agjencive të pavarura nuk siguron funksionalitet, llogaridhënie dhe pavarësi. Në këtë tryezë, Instituti INDEP prezantoi analizën: “Funksionalizimi i punës së agjencive të pavarura: mundësitë për fuzionim, rritje të mbikëqyrjes dhe balancim të pavarësisë dhe llogaridhënies”.

Në hyrje të tryezës, drejtori ekzekutiv i INDEP, z. Burim Ejupi theksoi rëndësinë që instituti që ai drejton i ka dhënë punës me agjenci të pavarura. “Që nga viti 2012 kohë kur INDEP filloi të mbështeste punën e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ne jemi fokusuar në krijimin e mekanizmave mbikëqyrës të Kuvendit ndaj agjencive të pavarura” – tha z. Ejupi. Ai në fjalën e tij theksoi faktin që me iniciativën e INDEP, forma e raportimit të agjencive të pavarura në Kuvend është standardizuar duke e cilësuar këtë hap si një fitore të transparencës dhe llogaridhënies. “Natyrisht, ne nuk do të ndalemi me kaq, pasi besojmë që Kuvendi i Kosovës duhet të marrë rolin udhëheqës në funksionalizimin e agjencive të pavarura” përfundoi z. Ejupi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, përfaqësuesja nga Ambasada Britanike në Prishtinë, znj. Mimoza Gojani tha që agjencitë e pavarura janë në fokus të punës së Ambasadës Britanike duke qenë se ato rregullojnë fusha jetike për vendin. “E përgëzoj INDEP-in për punën e bërë në këtë fushë dhe për bashkëpunimin që kanë pasur me organizatat tjera partnere në këtë drejtim” – tha znj. Gojani. Me një fjalë rasti, para të pranishmëve foli edhe z. Fehmi Pireva, Zyrtar Ndërlidhës i Kuvendit për Agjenci të Pavarura. Ai theksoi një varg problemesh me të cilat ai si zyrtar përballet në punën e tij të përditshme. “Problemet me të cilat përballet funksionimi i agjencive të pavarura janë të shumëllojshme dhe secila përbën një temë të veçantë me të cilën mund të merremi” – u shpreh ai. Më tej ai përgëzoi INDEP-in për kontributin e dhënë bashkë me partnerët e tjerë të Kuvendit në shtytjen përpara të rritjes së pavarësisë dhe llogaridhënies së këtyre agjencive.

Në pjesën e prezantimit të punimit, z. Dardan Abazi, hulumtues i ri në INDEP, theksoi të gjeturat kryesore të punimit. “Praktika e tanishme e funksionimit të agjencive të pavarura sugjeron që ne patjetër duhet të ndryshojmë tërësisht bazën ligjore që rregullojnë agjencitë e pavarura, përmes një Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Themelojnë Agjencitë e Pavarura”, – tha z. Abazi. Kjo bazë ligjore do të mundësonte krijimin e një mekanizmi të mbikëqyrjes parlamentare që do të fillonte me adresimin e çështjes së zgjedhjes së anëtarëve të bordit. “Zgjedhja e anëtarëve të bordit do të bëhej nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kjo jo vetëm që do largonte varshmërinë e funksionalizimit nga Qeveria e Kosovës, por do të rriste llogaridhënien dhe transparencën e Kuvendit ndaj agjencive të cilat i zgjedhë vet” – theksoi z. Abazi.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe deputetët z. Raif Qela dhe z. Pal Lekaj. Ata që të dy u pajtuan që një ligj i përbashkët duhet të ndryshojë bazën e tanishme ligjore të funksionimit të agjencive të pavarura. Z. Qela foli për dëmin që ka shkaktuar mos funksionalizimi i punës së Autoritetit të Konkurrencës. “Ky institucion është kyç për ekonominë e tregut dhe Qeveria nuk mund të arsyetohet për mos procedim të emrave për bordin e këtij autoriteti” – theksoi z. Qela. Ai më tej foli për problematikën e votës në bllok për emrat e anëtarëve në bordet e agjencive të pavarura dhe për jo profesionalizmin e bordeve si çështje që duhen adresuar urgjentisht. Nga ana tjetër, deputeti z. Pal Lekaj mbështeti modelin e ofruar nga INDEP për një ligj të përbashkët që plotëson dhe ndryshon ligjet për agjenci të pavarura dhe rritjen e rolit të Kuvendit në funksionalizimin e agjencive të pavarura.

Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që përcjellin punën e Kuvendit dhe të agjencive të pavarura. Ata mirëpriten rekomandimet dhe theksuan rëndësinë që ka vazhdimësia e punës së INDEP në këtë fushë, duke shprehur gatishmërinë për një përkrahje nga ana e tyre ende më aktive në këtë drejtim.

Tryeza ishte pjesë e projektit për mbështetje të punës së Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Për më shumë informata gjeni të bashkangjitur punimin KËTU.