Menaxherja Operacionale dhe Hulumtuesja e lartë e INDEP, Znj. Learta Hollaj është ftuar të marrë pjesë si paneliste në punëtorinë e planifikuesve të energjisë alternative dhe ekspertëve të modelimit energjetik që u mbajt në Budapest me 3 nëntor 2016. Ngjarja u organizua nga Energiaklub Climate Policy Institute dhe Applied Communications dhe Green Workshop Foundation.
Learta prezantoi skenaret alternative për energjinë në Kosovë, me fokus në promovimin e qëndrueshmërisë energjetike që kundërshton një të ardhme të varur pothuaj tërësisht në linjit. Prezantimi nxiti diskutim interesant nga audienca me ç’rast pjesëmarrësit kontestuan fuqishëm vendimin e politikëbërësve në Kosovë për të investuar në një termocentral të ri me djegie linjiti, i cili sipas studimeve do të jetë zgjidhja më e shtrenjtë dhe më së paku e qëndrueshme nga alternativat tjera.
Në seminar, specialistë të sektorit të energjisë, profesor dhe hulumtues si dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtar prezantuan qëndrimet, vizionin dhe përvojat nga e kaluara dhe vizionin dhe parashikimet për të ardhmen. Qëllimi i këtij takimi të veçantë ndërkombëtar ishte të iniciohej një projekt hulumtues mbi një skenar të përbashkët të energjisë alternative për Evropën Qendrore dhe Jug-Lindore.