Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, INDEP publikon “Gjendja e Mediave në Kosovë 2015”
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka publikuar raportin vjetor Gjendja e Mediave në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave. Raporti për vitin 2014 liston përmirësimet ligjore si zhvillime pozitive ndërkohë që presioni ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja politike ndaj RTK-së cilësohen si probleme të vazhdueshme.
Këtë vit, raporti është fokusuar gjithashtu tek mungesa e qëndrueshmërisë financiare të skenës mediatike Kosovare. Raporti thekson se mungesa e përdorimit të metodave moderne të menaxhimit biznesor mediatik ka ndikim serioz te mediat si dhe te pavarësia e tyre.
“Është tejet e rëndësishme që mediat të arrijnë qëndrueshmëri financiare në mënyrë që të sigurohet një liri e vërtetë e shtypit në Kosovë,” ka thënë Burim Ejupi, Drejtor Ekzekutiv i INDEP. “Kjo do të ishte hapi i parë për anashkalimin e largimeve nga puna që u vunë re tek transmetuesi publik dhe disa media private së fundmi.”
I publikuar rregullisht nga viti 2012, raporti është një analizë e zhvillimeve dhe ngecjeve të sektorit mediatik në Kosovë. Nëpërmjet këtij raporti INDEP synon zhvillimin e proceseve për zgjidhjen e problemeve të vazhdueshme që ndikojnë lirinë e shprehjes dhe mediave në vend. Në vitet e kaluara INDEP ka veçuar sulmet ndaj gazetarëve dhe ndikimin politik tek organet rregullative dhe transmetuesi publik, ndër të tjera.
Organet rregullative të medias në Kosovë vazhdojnë të përballen me kapacitete të pamjaftueshme dhe me ndërhyrje politike në punën e tyre thuhet në raport. Ky është një problem që vazhdon të përsëritet në këto institucione, të cilave u nevojitet një formë e vullnetit të mirë nga ana e ligjvënësve dhe e organeve ekzekutive me qëllim të zgjidhjes së këtyre problemeve.
Raporti gjithashtu thotë se sistemi relativisht i rregullt ligjor vazhdon të mos implementohet dhe si i tillë është jo efikas. Për të arritur një nivel të kënaqshëm të situatës duhet të sigurohet implementimi i ligjeve dhe përndjekja penale e sulmuesve ndaj lirisë së mediave.
Raportin mund ta lexoni këtu.