Instituti për Politika Zhvillimore, në kuadër të programit për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal, ishte pjesë e projektit South East Europe Electricity Roadmap (SEERMAP) dhe po merr pjesë në aktivitetin përmbyllës të tij i cili po mbahet sot në Vjenë, Austri. Projekti kishte si synim zhvillimin e skenarëve në sektorin e energjisë elektrike deri në vitin 2050 për vendet e Evropës Juglindore. Projekti shtrihet në nëntë vende të rajonit të Evropës Juglindore: Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, Serbi, Bullgari, Greqi dhe Rumani.
Për më shumë se një vit, projekti mblodhi ekspert të fushës nga sektori qeveritar dhe joqeveritar për të ndarë të dhëna, analiza dhe qëndrime të cilat u përdorën për të modeluar të dhëna rreth energjisë elektrike në skenarë të dekarbonizimit të plotë, të dekarbonizimit të vonuar dhe të gjendjes pa afate të caktuara. Këta skenarë dhe të dhëna, u paraqitën sot në konferencën përmbyllëse të projektit dhe pritet të shërbejnë si referencë për hartimin e politikave në sektorin e energjisë elektrike.
Përfaqësues të Institutit morën pjesë dhe kontribuuan si një nga nëntë organizatat nga secili vend, të specializuara në politikën publike në fushën e energjisë. Siç edhe modelet po tregojnë, vetëm një treg i integruar rajonal i energjisë elektrike dhe një politikë përkrahëse ndaj burimeve të ripërtrishme të energjisë në njërën anë dhe politikave të efiçiencës së energjisë në anën tjetër, mund të arrijë hapin evropian të dekarbonizimit të plotë deri më 2050. Krijimi i partneriteteve të tilla si SEERMAP do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme në rrugën e integrimit dhe përmbushjes së caqeve për energji elektrike të qasshme, të gjelbër dhe të përballueshme.