Nisë aksioni i mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, organizuar nga Koalicioni i Qytetarëve konsumatorë, Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare, i përbërë nga afro 70 subjekte joqeveritare dhe sindikale. Ky aksion po organizohet aktualisht në 9 komuna: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Obiliq dhe Klinë.
Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës nënshkrues të kësaj nisme legjislative, ushtrojmë të drejtën tonë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 79) dhe Ligjit nr.04/L-025 për nisma legjislative, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës ndryshimet e nevojshme ligjore të mundësojnë që çmimi i energjisë elektrike të reflektoj gjendjen sociale dhe ekonomike të konsumatorëve të energjisë elektrike.
Në funksion kësaj, ne kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që sa më parë të ndërmarr këta hapa:
- Përmes një Rezolute të anuloj Vendimin V_645_2014 e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 29 gusht 2014.
- Të amendamentohet Ligji nr.03/L-146 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku do të largohej TVSh prej 16% nga fatura e energjisë elektrike.
- Kuvendi i Kosovës të anuloj vendimin e saj dhe të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për rentën prej 3 euro për ton qymyri të shfrytëzuar.
- Të amendamentohet Ligji nr.03/L-185 për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në të cilin obligohet ZRRE të ndryshoj rregullat për vendosjen e çmimeve. Po ashtu, përmes Ligjit të ri për ZRRE, Kuvendi obligon Bordin e ZRRE që përveç ndryshimit të rregulloreve për vendosjen e çmimeve, të aprovoj një rregullore për mënyrën e përllogaritjes së gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve të energjisë, ashtu siç kërkohet me nenin 1, pika 4, të Ligjit aktual për ZRRE.
- Kuvendi i Kosovës të shkarkoj anëtarët e Bordit të ZRRE për arsye të shkeljeve etike dhe ligjore, si në vijim:
5.1. Mos marrjen për bazë të gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve me rastin e vendosjes së tarifave të reja, ashtu siç kërkohet me nenin 1 të Ligjit për ZRRE.
5.2. Ndikimin politik të anëtarëve të Bordit, me që rast Bordi i ZRRE nuk ka marrë vendim për tarifat e energjisë para datës 31 mars 2014, atëherë kur kanë skaduar tarifat e energjisë, por duke marrë vendim menjëherë pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit 2014.
Përfaqësues i nismës
Visar Azemi