Problemet e industrisë së qumështit përtej kërkesave të qumështarëve

66 0

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), mori pjesë në tryezën e organizuar nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për të diskutuar në lidhje me çështjet e ngritura nga shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit. Instituti INDEP prezantoi punimin me titull “Tregu i Prodhimeve të Qumështit dhe Mundësitë e Kosovës për Zhvillim”. Dardan Abazi nga Instituti INDEP theksoi nevojën që problemi të trajtohet në aspektin e përgjithshëm të politikave publike që janë aplikuar deri më tani e jo të trajtojmë vetëm kërkesat aktuale të shoqatave.

“Nevojitet që të fuqizojmë prodhuesin vendor në drejtim të ofrimit të produkteve më cilësore dhe konkurruese e jo vetëm të insistojmë në mbyllje të tregut për produktet nga jashtë“ – theksoi Abazi. Hulumtimi i INDEP po ashtu vëri në dukje që politika e subvencionimit duhet të jetë më atraktive dhe të inkurajojë jo vetëm prodhimin sasior por edhe atë cilësor, të ndikojë në investimet e brendshme të bizneseve dhe të inkurajojë bashkimin e tokave në atë mënyrë që bujqit me më shumë se 3 hektarë të kenë incentivë shtesë. INDEP po ashtu rekomandoi një seri politikash për rehabilitimin e tokës, rritjes së kontrolleve ndaj produkteve të importit, subvencionimit, transportit dhe edukimit të fermerëve si elemente kryesore për zgjidhjen afatgjate të problemit.

INDEP informoi Komisionin që Dogana e Kosovës nuk ka ndarë informata mbi përmbajtjen e një pjese të produkteve të importuara duke i kategorizuar ato si “të tjera”. 36% e sasisë së importuar në vitin e kaluar dhe në tre mujorin e parë të këtij viti është shënjuar si “të tjera”. Komisioni mori përsipër që një të dhënë të tillë ta kërkojë drejtpërdrejtë nga Dogana e Kosovës. Në fund, të pranishmit u pajtuan që Kuvendi të harmonizojë një listë të rekomandimeve që do të adresonin jo vetëm problemet e tanishme të industrisë së prodhimit dhe përpunimit të qumështit por edhe do të ndihmonin në fuqizimin e kësaj industrie në plan afatgjatë.

Related Post

INDEP: Thirrje për Ekspertë

31 Janar, 2019 0
Që nga nëntori i vitit të kaluar, INDEP është duke implementuar projektin me titull ‘Sustainably Developing (local) Governments for Sustainable…