Qeveria e Kosovës duhet ta dëshmojë përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut përmes shkarkimit të të emëruarve politikë

102 0

E vlerësojmë si hap të duhur iniciativën e Qeverisë së Kosovës për ta krijuar Grupin Koordinues për Të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës. Këtë iniciativë e përshëndesim si pjesë e shoqërisë civile, e cila synon  krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky hap është më se i nevojshëm për Kosovën duke pasur parasysh se gjetjet e shoqërisë civile për ndarjen e posteve përmes përkatësisë partiake apo emërimet politike.

Megjithatë, vlerësojmë se para se të merret një iniciativë e tillë, duhet së pari të ndërmerren veprime konkrete që do ta konfirmonin përkushtimin serioz të Qeverisë së Kosovës drejt respektimit të të drejtave të njeriut. Dhe kjo do të dëshmohej sikur së pari Qeveria t’i shkarkonte të emëruarit politikë në bordet e ndërmarrjeve publike.

Ka një vit që Agjencia Kundër-Korrupsionit pas denoncimit të instituteve INDEP, GAP dhe GLPS kishte nxjerrë opinionin ligjor me të cilin konstatonte shkeljet e Ligjit Nr. 03/L-087, përkatësisht nenit 17.2 (k) për Ndërmarrjet Publike. Ky nen përcakton:

 

17.2. Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse:

  1. k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;

 

Qeveria në së paku 17 raste kishte zgjedhur të emëruar politikë, bartës të posteve të larta në parti politike dhe kandidatë për poste të zgjedhura edhe pse kjo ishte në kundërshtim të plotë me Ligjin. Rastet e dëshmuara edhe nga vendimi i Agjencisë Kundër – Korrupsionit (shih linkun: http://akk-ks.org/repository/docs/01-681-16-dlk-Opinion_ZKM_66368.pdf ) treguan që Qeveria kishte vënë marrëveshjen e koalicionit PDK-LDK përpara ligjit duke ndarë postet sipas raportit 50-50.

Ndarja e posteve sipas përkatësisë partiake përfaqëson shkelje të Ligjit 03/ dhe të të drejtave elementare të njeriut, përkatësisht të mbi 1800 kandidatëve që në konkurset për drejtorë të ndërmarrjeve publike u refuzuan dhe para tyre u zgjodhën anëtarë të PDK-së e LDK-së në kundërshtim me ligjin, barazinë para konkursit publik dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve. Pra, para krijimit të Grupit Koordinues për Të Drejtat e Njeriut, Qeveria duhet të shpjegojë përse ata njerëz vazhdojnë në mënyrë të paligjshme të udhëheqin një pjesë të madhe të ndërmarrjeve publike dhe përse vendimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk po zbatohet. Qeveria nuk duhet ta vazhdojë heshtjen ndaj thirrjeve të organizatave të shoqërisë civile dhe të Agjencisë Kundër-Korrupsionit për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike.

Me anë të kësaj heshtjeje, Qeveria e Kosovës edhe më tutje po i shkelë fjalët e preambulës së Kushtetutës së Kosovë, të cilat në mënyrë solemne shpallin qëllimin “për një shtet të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”. Përveç kësaj, Qeveria me emërimet politike ka shkelur së paku edhe Kapitullin III të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike.

Shkeljet e ligjit nga ana e Qeverisë me rastin e emërimit të bordeve janë evidente dhe lehtë të verifikueshme. Për këtë, i bëjmë thirrje edhe prokurorisë së shtetit dhe organeve të drejtësisë të ndërmarrin hapa konkretë në mbrojtje të interesit publik, respektimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Puna e parë që Grupi Koordinues për Të Drejtat e Njeriut duhet të bëjë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është të sigurojë që shkelja e të drejtave të njeriut me rastin e emërimit të bordeve të ndërmarrjeve publike të korrigjohet sa më parë dhe bartësit e paligjshëm të posteve të shkarkohen. Vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmohet deklarimi i Qeverisë për përkushtimin e saj drejt mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

 

Related Post