Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) përshëndet nënshkrimin e Marrëveshjes së Gjelbër për Ballkanin në samitin e Sofjes dhe pjesëmarrjen e Kosovës në këtë iniciativë. INDEP vlerëson që përkushtimi që Qeveria e Kosovës ka marrë në këtë marrëveshje është një udhëzues i qartë për një kurs të ri të politikave që institucionet e Kosovës duhet të ndjekin. Nënshkrimi i saj është një hap i drejtë simbolik që duhet ndjekur me vendime përmbajtjesore dhe një kornizë të re të politikave.
Marrëveshja e Gjelbër për Ballkanin është një mundësi e artë që Kosova të ndryshoj kursin e politikave duke u larguar nga mendësia e qymyrit drejt një përkushtimi të qartë për dekarbonizim. Për këtë, i bëjmë thirrje Kryeministrit dhe Qeverisë që menjëherë të përkthejnë përkushtimin e marrë në këtë marrëveshje në vendimmarrje që përcakton qartë një afat kohor për dekarbonizimin e sistemit energjetik dhe rrugën që Kosova duhet ndjekur për t’u larguar nga karburantet ndotëse. Ky përkushtim politik duhet të përkthehet në një Strategji të re të Energjisë dhe të etablohet në Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP).
Një hap tjetër i domosdoshëm është sigurimi i një tregu energjetik që promovon konkurrencën, kualitetin e produkteve energjetike dhe mbron konsumatorin. Politika duhet të qëndroj larg presioneve kundër procesit të liberalizimit të tregut dhe duhet të lehtësoj procesin e liberalizimit të tregut fillimisht në nivelin 35 kV e pastaj edhe për konsumatorët komercial në nivelet e tension 0.4kV. Ky proces do të siguronte të drejtën e konsumatorëve për ndërrim të furnizuesit dhe në plan afatmesëm dhe afatgjatë do të ndikonte në uljen e çmimeve, rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në rritjen e gjithmbarshme të sigurisë së furnizimit. Qeveria duhet të çoj përpara procesin e bashkimit të tregut me Shqipërinë dhe të kryej pjesën e punës së saj për integrimin e tregut të Kosovës në një treg rajonal të energjisë.
Qeveria e Kosovës duhet gjithashtu që të hartoj politika që përshpejtojnë rritjen e pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtrishme në tregun e Kosovës. Tashmë jemi vonuar shumë në vendosjen e një sistemi të mbështetjes së këtyre burimeve përmes ankandeve. Ky model do të siguronte çmime të përballueshme për konsumatorët, zhvillim të konkurrencës së drejtë në alokimin e kapaciteteve në skemën mbështetëse dhe rritje të pjesëmarrjes së energjisë së gjelbër në miksin energjetik.
I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që gjithashtu të mbështesë fushën e efiçiencës së energjisë si “burimi” i parë dhe më i mirë i energjisë në vend. Zbatimi i plotë i Ligjit Nr. 05/L-101 për Performancën Energjetike në Ndërtesa dhe përkrahja e Fondit të Efiçiencës së Energjisë janë hapa jetik për të realizuar zotimet e Samitit të Sofjes.
Samiti i Sofies dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Gjelbër për Ballkanin janë shpresë për rajonin dhe për Kosovën. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që duke shfrytëzuar këtë momentum të ndërmarr hapa të përshpejtuar për t’i dhënë vlerë reale asaj që është nënshkruar në këtë samit. Kosova ndodhet në një pozicion unik që të projektoj një të ardhme të sektorit të energjisë që siguron një tranzicion të drejtë, që siguron vende të reja të punës dhe që kujdeset për mjedisin dhe shëndetin publik. Po e zgjodhi këtë rrugë, Qeveria e Kosovës do të ketë përkrah të gjithë përvojën dhe ekspertizën tonë si INDEP.