Prishtinë, 14 janar 2020 -Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kundërshtojnë të gjitha planet dhe projektet për ndryshimin e destinimit të tokës pranë liqenit të Badovcit, për qëllime afariste/rezidenciale duke ditur rëndësinë e saj strategjike për siguri të furnizimit me ujë të pijes dhe për një mjedis ekologjik për qytetarët e Prishtinës dhe më gjërë.
Njëkohësisht, shprehim shqetësimin tonë me qasjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) e cila është shndërruar në instrument për legjitimimin e degradimit mjedisor duke lejuar ndërtimet në zona të mbrojtura, duke dhënë leje mjedisore për hidrocentralet të cilat dëmtojnë rrjedhën e lumenjve, e deri tek rrezikimi i zonave të mbrojtura rreth burimeve ujore sipërfaqësore.
Kërkojmë nga MMPH dhe Komuna e Prishtinës që të marrin masa për zbatimin e drejtë të Ligjit nr.04/L-147 për ujërat, Udhëzimin Administrativ të MMPH nr.15/2017, si dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.16/127 për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor sipërfaqësor të Badovcit.
Javë më parë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte propozuar Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Ujërat e Kosovës. Aty, Ministria kishte propozuar ndryshimin e nenit 48 të Ligjit aktual “Mbrojtja e brigjeve të ujërrjedhave dhe akumulimeve” gjegjësisht paragrafin 1.3 tek i cili u propozua të ndryshonte distancën e lejimit të ndërtimit të objekteve nga 30 metra sa ishte në Ligjin aktual në 10 metra nga vija ujore. Njëra nga organizatat partnere të këtij reagimi kishte kundërshtuar dhe kishte dërguar komente dhe i bëjmë thirrje edhe njëherë MMPH-së të tërheqë këtë iniciativë të dëmshme ligjore.
Sa për rikujtim, bazuar në të njejtin vendim të Qeverisë (14/127 të datës 24 prill 2013), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendim për prishjen e plazheve të ndërtuara në afërsi të liqenit të Batllavës më 2014, duke kërcënuar me padi Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si investitor në projektin e plazheve në Batllavë. MMPH është duke heshtur para një projekti edhe më të dëmshëm, i cili parasheh ndërtimin e një lagjeje rezidenciale në afërsi të Liqenit të Badovcit.
Siguria e furnizimit me ujë cilësor, të sigurt dhe të pastër është e drejtë bazike dhe me rëndësi kritike për banorët e komunës së Prishtinës. Duke ditur tani edhe vështirësitë klimatike me të cilat veçse vendi po përballet, duke ditur që niveli i liqeneve ka rënë për afër 10 metra, ndërtimet e reja në këtë zonë do ta ndikonin edhe më tepër përkeqësimin e gjendjes në liqe dhe do të mund të ndikonte negativisht në cilësinë e ujit, sidomos gjatë fazës së ndërtimit dhe operimit.
BGF, GAP, GLPS dhe INDEP, qëndrojnë kundër këtij projekti dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të MMPH dhe Komunës së Prishtinës që:
· Të kundërshtojnë dhe revokojnë të gjitha aplikimet për leje për realizimin e këtij plani të dëmshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit dhe më gjërë.
· Të qëndrojnë në mbrojtje të interesit publik të mandatuar nga ligjet në fuqi dhe Kushtetuta.
· Të mos miratojnë një projekt që për më tepër ngulfat hapësirat publike, bie ndesh me legjislacionin e vendit për mbrojtjen e burimeve ujore, ndikon negativisht në mjedis dhe biodiverzitet dhe ndikon që Prishtina dhe rethina e saj të humbin edhe atë pak gjelbërim që ka dhe qytetarëve të ju zbehet mundësia që të vizitojnë liqenin e Badovcit.