Reagim për deklaratat linçuese të Kryeprokurorit të Shtetit dhe mosefikasitetin e tij

Ne Organizatat e shoqërisë civile përmes këtij reagimi shprehim shqetësimet tona në lidhje me deklarimet publike të Kryeprokurorit të Shtetit z. Aleksandër Lumezi, drejtuar mediave pas raportimeve të tyre lidhur me takimin e tij me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjuha e përdorur nga Kryeprokurori i Shtetit, është e papranueshme dhe përbënë cenim të lirisë së fjalës dhe informimit të opinionit publik. Në letrën e tij, Kryeprokurori i Shtetit linçon mediat, shantazhon ato dhe i quan “bashkëpunëtorë të grupeve dhe strukturave kriminale”. Kryeprokurori i Shtetit nëse do të kishte informata të tilla ashtu siç ka deklaruar, atëherë ai do të duhej të zhvillojë hetime dhe jo që përmes deklarimeve të tilla, të përpiqet të shantazhoi dhe kërcënoi median.

Deklarimet e tilla nga Kryeprokurori shpërfaqin mos efikasitetin në punën e tij dhe mos marrjen e veprimeve konkrete në arritjen e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta. Shumë prej rasteve që janë në procedim në Prokurorinë e Shtetit dhe aferat e tjera publike, ende nuk kanë marrë një përgjigje meritore dhe vazhdojnë të zvarritën tutje.

Prej këtyre rasteve veçojmë:

Afera “Pronto 2”, e cila për një vit e gjysmë që nuk ka asnjë rezultat konkret, përkundër provave konkrete që janë paraqitur në media;

Akuzat publike të Hashim Rexhepit, ish Guvernatori i Bankës Qendrore, në të cilat implikon zyrtar të lartë shtetëror, përfshi edhe ish Kryeministrin Thaçi;

Akuzat publike të sinjalizuesit nga Administrata Tatimore e Kosovës për manipulimet tatimore;

Kontrata e lidhur në mes të shtetit dhe kompanive Bectel-Enka, ku pretendohet se qëllimisht është ndryshuar traseja e rrugës për përftime personale, shto këtu edhe çështjen e shpronësimeve për autostradën Prishtinë – Prizren;

Privatizimi i distribucionit të energjisë elektrike së bashku me kapacitetet prodhuese të tri hidrocentraleve;

Parashkrimi i shumë rasteve penale ndër të cilat edhe ato të korrupsionit;

Rasti i Emin Beqirit ish-Drejtorit të Krimeve Ekonomike;

Falja e borxheve të ambalazhuesve të ujit në vlerë prej 58 milion euro duke favorizuar vetëm një kategori të bizneseve;

Monopoli i homologimit të veturave.

Për me tepër, publikimi i “Pronto 3” në të cilin është i përfshirë Kryeprokurori Lumezi, mbase është përgjigjja për mos efikasitetin e Prokurorisë së Shtetit në hetimin dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë të përfshirëve në këto raste.

Marrë parasysh gjithë këtë situatë, kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të mbajnë në përgjegjësi Kryeprokurorin e Shtetit për akuzat e tij linçuese ndaj medieve. Gjithashtu kërkojmë që të hetohen pretendimet për afërsinë e tij me zyrtarët të PDK-së dhe ndikimet që ata mund të kenë në punën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK-së i kujtojmë se Kryeprokurori i Shtetit duhet të kujdeset në çdo kohë për integritetin e tij dhe të Sistemit Prokurorial, si dhe duhet të përfaqësojë paanshmëri dhe profesionalizëm gjatë ushtrimit të detyrave të tij.

Organizatat mbështetëse:

Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD

Organizata Çohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Instituti Demokratik i Kosovës – KDI

Iniciativa për Progres – INPO

Instituti KIPRED

Instituti GAP

Instituti Columbus

Instituti INDEP

Ec ma ndryshe

Clard

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)