Reagim: Të ndalen reduktimet e rrymës, të ndëshkohen shkelësit e ligjit dhe të kompensohen qytetarët!

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i bënë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji, Qeverisë dhe institucioneve të tjera të marrin masa të menjëhershme ndaj KEDS/KESCO si përgjegjës për ndërprerjet e paligjshme të furnizimit me energji elektrike. Në ditët e fundit, kemi parë ndërprerje të pa arsyeshme dhe të paplanifikuara të furnizimit me energji elektrike. Kjo praktikë shkelë Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, të drejtat njerëzore të qytetarëve për qasje në shërbime jetike si dhe cenon lirinë ekonomike të subjekteve biznesore.

Ligji Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike përcakton qartë obligimin ligjor të furnizimit universal për ndërmarrjet e caktuara të energjisë me qëllim të furnizimit të rregullt e të pandërprerë për konsumatorët. Ligji është i qartë që këtë të drejtë e gëzojnë: “të gjithë konsumatorët familjar dhe jofamiljar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose jo më shumë së pesëdhjetë (50) punonjës.”Ndërprerjet e energjisë elektrike janë të paligjshme dhe në kundërshtim edhe me Vendimin Nr. 1065_2018 të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe për këtë duhet të shqyrtohet mundësia e revokimit të licencës për kompaninë e furnizimit KESCO si shkelëse e obligimit që shteti i ka vënë për shërbimin universal. Infrastruktura ligjore për revokimin e licencës ekziston e po ashtu edhe furnitorë të tjerë të licencuar!

Ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike shkelin drejtpërdrejtë edhe Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në nenin 24 të këtij Ligji është përcaktuar qartë e drejta e konsumatorit për qasje dhe furnizim të rregullt, për cilësi të shërbimit dhe e drejta në kompensim në rast të dëmit:

1. Ofruesit e shërbimeve publike janë të detyruar të ofrojnë qasje në shërbimet publike për të gjithë konsumatorët.

2. Ofruesit e shërbimeve publike janë të detyruar te sigurojnë shërbime konsumatorit, duke marrë parasysh, cilësinë, standardet, sigurinë dhe furnizimin me rregull, përveç në rastin e avarive të ndikuara nga faktorët natyror.

3. Ofruesi i shërbimeve publike detyrohet t’i kompensoj dëmin eventual konsumatorit në rast të ofrimit të shërbimit jo cilësor dhe jo adekuat.

Furnizimi me energji elektrike është një e drejtë njerëzore. Ndërprerja e furnizimit në muaj të ftohtë të dimrit shkakton dëme në shëndetin e popullatës, ndërpret ose dobëson shërbimet shëndetësore publike etj. Këto ditë, po shohim Komuna që s’mund të ofrojnë shërbime pa rrymë, spitale e Qendra të Mjekësisë Familjare me shërbime të limituara si pasojë e mungesës së energjisë elektrike etj. Gjithashtu, përmes ndërprerjeve të paligjshme të energjisë elektrike, KEDS/KESCO kanë dëmtuar një numër të madh biznesesh të cilat nuk kanë pasur mundësi të planifikojnë reduktimet.

Përfundimisht, Zyra e Rregullatorit për Energji bashkë me mekanizmat tjerë të mbrojtjes së konsumatorit duhet të bëjnë një vlerësim të menjëhershëm të dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve. KEDS/KESCO duhet të ndëshkohen menjëherë deri në shqyrtimin e revokimit të licencës për KESCO si shkelëse e drejtpërdrejtë e obligimit të furnizimit universal. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë që i vetmi reduktim tjetër që KEDS/KESCO do të guxojnë të bëjnë është reduktimi i faturave të qytetarëve, për të kompensuar dëmin e madh që kanë shkaktuar reduktimet e rrymës. Vetëm atëherë do të rritet ndërgjegjësimi i kompanive të energjisë dhe reagimet publike ndaj tyre do të kenë kuptim e do të jenë të sinqerta!