REAGIM: Vendimi i ZRRE-së për strukturën tarifore është i dëmshëm për sektorin e energjisë, i ndikuar politikisht dhe një arrnim i paqëndrueshëm i krizës aktuale

456 0

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësimin e thellë me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për strukturën e re tarifore. Zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë. Për më tepër, subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend. Ky vendim nuk i ndihmon tranzicionit energjetik. Përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kjo shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e sotëm të ZRRE-së.

Vendimi i ZRRE-së bjen në kundërshtim me vlerësimet e vet Rregullatorit dhe realitetin e sektorit të energjisë në vend. Në arsyetimin e vendosjes së bllok tarifës në 600 kW, vet ZRRE-ja kishte deklaruar që në fakt sasia mbi 600 kWh është sasia e energjisë që ka nevojë të importohet dhe e cila e ngarkon sistemin. Zhvendosja e bllokut në 800 kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë. Ky vendim ngadalëson procesin e tranzicionit energjetik duke bërë që investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtrishme përmes paneleve solare të jenë të pafavorshme në një treg ku çmimi i energjisë deri në 800 kWh subvencionohet.

Ekzistimi i kufirit të bllokut tarifor deri në 600 dhe vendosja e një blloku shtesë mbi 1200 është arsyetuar mjaft mirë në Analizën dhe komentet që Instituti INDEP ka dorëzuar në ZRRE. Por, kjo e fundit, ka vendosur që duke dëmtuar hapur pavarësinë dhe profesionalizmin e vet, të përkrahë opsionin e partisë udhëheqëse, duke rënë në kundërshtim me vetveten, me komentet e INDEP dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

I bëjmë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që menjëherë të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik. Është koha e fundit që Rregullatori të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare dhe të krijojë një standard të vendimmarrjes profesionale. Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist. Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës.

Related Post