Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP ka tri vite që është i angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve alternative bazuar në hulumtime dhe analiza të pavarura sa i përket sistemit social dhe pensioneve. Përgjatë tri viteve, si pjesë e programit për Zhvillim të Qëndrueshëm, INDEP ka marrë për bazë krahasimi sistemet e vendeve të caktuara evropiane si edhe ato të rajonit, për t’i nxjerrë praktikat më të mira që do të mund të integrohen edhe në sistemin e Kosovës.
Në vazhdimësi të këtij angazhimi, INDEP është duke e zbatuar projektin “Reforma e Sistemit Pensional në Kosovë”, projekt i financuar nga projekti “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Në kuadër të këtij projekti, INDEP ka realizuar 7 fokus grupe në 5 rajone të Kosovës me palë të interesit në fushën e sistemit pensional. Diskutimet gjatë fokus grupeve kanë sjellë opinione dhe propozime të ndryshme, të cilat në tërësi kanëdhënë propozime të ndryshme, megjithatë INDEP vlerëson se diversiteti i propozimeve që janë ofruar i kontribuon shumë procesit të reformimit të sistemit pensional për shkak se mund të konsultohen pikëpamje të ndryshme për ta gjetur modelin më të mirë.
Diskutimet e fokus grupeve kryesisht kanë prekur çështjen e njohjes së përvojës së punës para vitit 1999; pensionet kontributdhënës; skemat për personat me nevoja të veçanta; skemat për invalidë dhe veteranë të luftës, etj. Meqenëse kishte shumë propozime, të cilat janë të elaboruara detajisht më poshtë në raport, këtu përmenden vetëm kyçet.
Rezultatet e fokus grupeve kanë sugjeruar që reforma e sistemit pensional të sjellë një ligj të barabartë për secilin qytetar të Kosovës; të largohen skemat e veçanta që japin precedent për krijimin e skemave tjera ku vetëm një kategori favorizohet.Po ashtu, unanimisht është kërkuar që të njihet përvoja e punës e atyre personave që janë larguar nga puna gjatë viteve ’90. Sa i përket kriterit 15 vite, ka pasur propozime të ndryshme që variuan prej uljes së kriterit në 10 vite e deri te përshkallëzimi i tij në raport me vitet e punës. Në të gjitha fokus grupet u propozua që të themelohet Fondi Pensional në mënyrë që t’i hiqet barra buxhetit të shtetit për pagimin e pensioneve. Sa i përket kategorisë së personave me nevoja të veçanta, u propozua që të definohen pensionet që jipen pas moshës 65 vjeçare dhe kompensimet që jipen për shërbimet mujore. Kompensimet u kërkua të jenë bazuar në nevojat e secilës kategori pasi secila kategori ka nevoja të ndryshme dhe nuk mund të plotësohen me kompensime të njëjta.
Raporti në vijim do t’i pasqyrojë të gjitha propozimet dhe sugjerimet e dhëna të grupuara varësisht kategorisë dhe problemeve të adresuara.