Instituti për Politika Zhvillimore, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës organizuan tryezën me titull “Transparenca e Agjencive të Pavarura në Kosovë“. Të pranishëm në tryezë ishin kryetarët e grupeve parlamentare, përfaqësues të Kuvendit të institucioneve të pavarura dhe përfaqësues të shoqërisë civile që mbështesin punën e Kuvendit. Në fjalën e tij hyrëse, Drejtori Ekzekutiv i INDEP z. Burim Ejupi theksoi rëndësinë e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit dhe rolit që INDEP ka luajtur në krijimin dhe promovimin e mekanizmave të llogaridhënies.
Nga ana tjetër, Driton Selmanaj, Kryetar i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike, tha se edhe pse nevoja është rritur, progresi ka stagnuar. “Ka dhjetë vite që flasim për tema të njëjta dhe ende nuk kemi arritur të zgjidhim asnjë nga problemet. Nga ana e saj, Kryetarja e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri znj. Sala Berisha Shala, duke potencuar rëndësinë e tryezave të tilla tha se pavarësisht përkatësisë partiake, të gjithë duhet punuar së bashku për të gjetur zgjidhjet më të mira. “Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, ne gjithmonë kemi qenë të hapur për të dëgjuar me respekt çfarëdo ideje dhe sugjerimi nga shoqëria civile dhe dua të falënderoj INDEP-in për kontributin e vazhdueshëm në këtë drejtim” – tha znj. Berisha – Shala.
Në fjalën e tij hyrëse, z. Fehmi Hyseni – Udhëheqës i Drejtorisë për Mbështetje të Komisioneve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës, tha se të gjitha komisionet parlamentare në përgjithësi përballen me sfida të njëjta dhe vuri në dukje rëndësinë e dallimit në mes të institucioneve të pavarura kushtetuese, agjencive të pavarura dhe rregullatorëve të tregut. Gjithashtu, z. Fehmi Pireva, Zyrtar Ndërlidhës i Kuvendit të Kosovës me Institucione të Pavarura tha se megjithatë duhet mbështetur puna e agjencive dhe duhet lavdëruar raportimi i shumicës prej tyre. “Nevojitet një zgjidhje edhe sa i takon afateve të raportimit për institucione të pavarura që kanë veprimtari dhe fushëveprim të ndryshëm”. Ai theksoi rëndësinë që ka angazhimi i pjesës politike në adresimin e problemeve rreth raportimit në veçanti dhe llogaridhënies në përgjithësi.
Tryeza vijoi me diskutime të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura të cilët shprehën sfidat dhe problemet që i kanë në përmbushjen e transparencës dhe misionit që këto agjenci e kanë. Ishte përfundim i përbashkët i tryezës që nevojitet reformim i thellë i agjencive në drejtim të fuzionimit të tyre, rritjes së efikasitetit, harmonizimit të pozitave dhe rritje të llogaridhënies dhe transparencës. Të pranishmëve ju shpërnda edhe punimi: “Transparenca e Agjencive dhe Institucioneve të Pavarura” e hartuar nga INDEP. Tryeza dhe punimi janë pjesë e programit të INDEP për Qeverisje Demokratike dhe projektit “Promovimi dhe inkurajimi i bashkëpunimit në mes të hisedarëve si mjet për instalimin e praktikës demokratike në vendimmarrje” financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).