Rëndësia e Angazhimit të Shoqërisë Civile në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Që nga viti 2012, INDEP monitoron punën e disa prej komisioneve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Deri më tani, INDEP me shumë sukses ka arritur që nëpërmjet rekomandimeve konkrete të dala nga hulumtimet e shumta, pjesëmarrjes aktive në proceset e konsultimeve publike dhe platformave të tjera, të jenë pjesë e draftimit të akteve normative të ndryshme. Krahas kësaj, me anë të angazhimit të vazhdueshëm, INDEP tashmë zotëron një bashkëpunim të mirëfilltë me institucionet qendrore siç është Kuvendi i Kosovës.

Në mënyrë që kjo ekspertizë, qasja e përdorur ndër vite ndaj këtij institucioni dhe mësimet e mara, të kalojnë edhe tek organizatat e tjera të shoqërisë civile, INDEP muajin që lamë pas mblodhi përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare të profilizuara në çështje të llojllojshme të cilët patën rastin të mësojnë më shumë rreth mundësive, mjeteve dhe metodave për kontribut në punën e Kuvendit. Metodat janë dhe mjetet ekzistojnë, andaj nevojitet vetëm vullnet, bashkëpunim dhe angazhim të organizatave të shoqërisë civile në fushat që ato mbulojnë.

 

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të programit të INDEP mbi qeverisjen demokratike dhe projektit “Kuvend i fuqizuar për politika dhe ligjvënie efektive, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).