Pas ankesës së INDEP, BGF, GAP, GLPS, Bankwatch Network dhe Germanwatch të prillit 2019, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë sot ka njoftuar se ka hapur zyrtarisht procedurë kontestimore kundër Qeverisë së Kosovës duke konstatuar se ajo, me nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka shkelur legjislacionin vendor dhe evropian për ndihmën shtetërore. Sekretariati gjeti se aspekte të caktuara të kontratës si blerja për 20 vjet e disponueshmërisë së energjisë nën marrëveshjen për blerjen e energjisë, transferi i pronësisë, garancitë shtetërore, përjashtimi nga TVSH dhe të tjera beneficione paraqesin ndihmë shtetërore të sanksionueshme me ligj.
Kështu ndodhë kur duke injoruar thirrjet tona, Qeveria nënshkruan një kontratë të dëmshme. Në analizën e INDEP “Kontrata për Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” – Tetë Marrëveshje, Tre Impakte të Mëdha”, ne kemi argumentuar se si kjo kontratë, përveç dëmit shkatërrues financiar dhe mjedisor do të dëmtoj edhe rrugën integruese të Kosovës pasi dëmton liberalizimin e tregut dhe konkurrencën dhe favorizon përtej çdo logjike një investitor privat karrshi të tjerëve dhe në dëm të interesit publik.
I bëjmë thirrje Qeverisë në ardhje që të ketë në konsideratë të gjitha faktet dhe të tërhiqet nga kjo kontratë. Me këtë do t’i hapë rrugë zhvillimit të tregut të energjisë duke duke nxitur investime të mirëfillta, mbrojtur mjedisin dhe të ardhmen evropiane të të gjithë sektorit.