Sistemi pensional në Kosovë duhet të reformohet thelbësisht

Instituti për Politika Zhvillimore mbajti sot tryezën diskutuese mbi sistemin pensional në Kosovë. Të pranishëm në këtë diskutim ishin deputetë, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, përfaqësues të federatës së pensionerëve e të invalidëve të punës, si dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe përfitues të skemave pensionale në Kosovë.

Diskutimi u hap nga drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi; zëvendësministri i ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Lulzim Leci; kryetarja e komisionit të SHPM-së, Besa Baftiu, si dhe kryetari i Federatës së Sindikatave të pensionistëve dhe invalidëve të punës, Sylejman Metaj.

Të pranishmit diskutuan rreth reformës së sistemit pensional dhe dhanë komentet e rekomandimet e tyre të cilat iu drejtuan anëtarëve të Komisionit për SHPM si Bekim Haxhiu, Haxhi Avdyli, Fatmire Mulhaxha – Kollqaku dhe panelistes, Besa Baftiu. I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe ish-ministri i MPMS-së, tash deputet, Arban Abrashi.

Në këtë tryezë u prezantua edhe hulumtimi “Sistemi pensional në Kosovë: Sfidat dhe mundësitë” i hulumtuesit të INDEP, Selatin Kllokoqi. Këtë punim mund ta gjeni edhe në uebfaqen e INDEP-it.

Të pranishmit në mënyrë unanime ranë dakord se sistemi pensional në Kosovë duhet të reformohet thelbësisht.