Standardet e unifikuara në industrinë ushqimore si hap i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

78 0

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (ISHSN), organizoi të mërkurën një tryezë diskutimi mbi potencialin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe sfidat në kuadër të këtyre marrëdhënieve.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi dhe identifikimit problemeve në aspektin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare në të dy anët e kufirit. Përveç panelistëve dhe të ftuarve të nderit, në tryezë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të BE, përfaqësues të mediave, përfaqësues të shoqërisë civile  si dhe ata të shoqatave tregtare në vend.

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP, tha gjatë tryezës se “përkundër bashkëpunimeve në nivel kulturor, artistik, arsimor, etj., bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe tregtisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë lë shumë për të dëshiruar.”

“Rrjedhimisht, lind nevoja për konkretizim të marrëveshjeve të nënshkruara tregtare në mes të dy vendeve dhe për identifikim të modaliteteve të bashkëpunimit që do të shtynin përpara bashkëpunimin ekonomik,” theksoi më tej z. Ejupi.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, gjatë prezantimit të tij në tryezë, paralajmëroi se Qeveria e Shqipërisë do të përgatis një draft të dokumentit që do të konkretizoj hapat drejt një bashkëpunimi më të mirë, sidomos sa i përket unifikimit të standardeve në industrinë e produkteve ushqimore, të cilat produkte, sipas z. Dritan Sulçebe nga ISHSN, zënë peshën kryesore në vëllimin e eksporteve në mes të dy vendeve.

“Vendet tona janë shumë të vogla dhe në mënyrë që të bëhemi faktor ekonomik në rajon, ne kemi nevojë të rrisim bashkëpunimin me njëri tjetrin. Sot më shumë se kurrë është e nevojshme që të punojmë drejt unifikimit të standardeve të aplikueshme në industrinë e ushqimit, i cili do të ishte hapi i parë drejt përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve dhe njëkohësisht do të ndikonte drejt për drejt në ngritjen e nivelit të shkëmbimeve reciproke tregtare,” – u shpreh z. Minxhozi.

Agron Demi nga Instituti GAP vuri në pah problemin permanent që ka të bëj me faktin që Shqipëria dhe Kosova kanë marrëveshje bilaterale në fushën e tregtisë edhe para shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur, por që këto marrëveshje nuk po implementohen në praktikë. Ai po ashtu rikujtoi faktin që dy nga marrëveshjet që janë nënshkruar më herët, rrjedhimisht në sektorin e energjisë dhe marrëveshja për trajtimin e çështjes së tatimit të dyfishtë, janë përsëritur gjatë këtij viti.

Shpend Kursani, autor i punimit “Kosova në Kontekst Rajonal: Marrëdhëniet Ekonomike dhe Tregtare,” shpalosi gjatë tryezës të gjeturat nga ky punim. Në mes të shumë të dhënave interesante, ai theksoi rastin e dy autostradave, njëra e ndërtuar nga ana e Shqipërisë dhe tjetra nga ana e Kosovës, të cilat në vend që të shtojnë volumin e shkëmbimeve tregtare në mes të këtyre dy vendeve, i kanë shndërruar këto vende në pika transit për shkëmbimet tregtare në mes të vendeve të rajonit me vendet e BE-së.

Kjo tryezë është organizuar në kuadër të projektit “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët”, i cili mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), zyrat në Prishtinë dhe Tiranë. Të gjeturat nga kjo tryezë do të përmblidhen dhe shqyrtohen në një punim përfundimtar që do të bëhet publik në të ardhmen e afërt.

Related Post