Të funksionalizohet bordi i ZRRE-së dhe të sigurohen mekanizma që ai të mos mbetet jofunksional në të ardhmen!

Konsorciuimi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta procedojë sa më shpejtë plotësimin dhe funksionalizimin e bordit të ZRRE-së dhe ta vendosë këtë çështje si prioritet të menjëhershëm të kësaj qeverisjeje.

Siç dihet, bordi i ZRRE-së është jo funksional që nga data 15 maj 2017. ZRRE-së i duhet kuroumi prej 3 anëtarëve për të marrë vendime. Aktualisht, janë vetëm dy anëtarë në këtë bord, çka e bën këtë bord jo funksional. KOSID-i i pati drejtuar kërkesën e njëjtë Qeverisë së atëhershme në detyrë, përkatësisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), në prag të zgjedhjeve të parakohshme nacionale, që të mos e neglizhojë këtë procedurë, por që ta respektojnin obligimin ligjor që del nga Ligi Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Ambasadës Britanike dhe të propozojë emrat në bazë të konkursit publik që atëherë të përfunduar.

Pavarësisht kërkesës sonë, bëhen 4 muaj që kur insituticionet nuk kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim. Ndonëse jemi në dijeni të zhvillimeve të fundit në skenën politike, marrë parasysh vonesën e votimit të Qeverisë së re dhe tash procedurat e emërimit të kabinitetit qeveritar, kjo çështje është neglizhuar pa ndonjë arsye. Ashtu siç e kemi arsyetuar edhe në kërkesën tonë në fund të muajit maj, Qeveria në detyrë i kishte të gjitha kompetencat që i duheshin për ta proceduar plotësimin e bordit të ZRRE-së. Duhet pasur parasysh se nuk ka pasur as edhe një kornizë ligjore që e ka ndaluar qeverinë e atëhershme në detyrë për t’i vazhduar këto procese meqë stafi që merret me këto intervistime të kandidatëve dhe procedura të tjera; është staf civil dhe jo politik. Meqë atëherë nuk u bë gjë, ne vazhdojmë të insistojmë tek institucionet përkatëse që kjo çështje të zgjidhet sa më parë duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të kësaj agjencie në sektorin e energjisë.

Tani që është formuar kabineti qeveritar dhe janë konstituuar komisionet, nuk ka asgjë që e ndalë procedimin e funksionalizimit të bordit të ZRRE-së. Duhet që sa më parë të fillojë intervistimi i kandidatëve të dalë nga konkursi publik i hapur që në mars 2017 ashtu siç ishte paraparë për përzgjedhjen e dy anëtarëve të bordit. Po ashtu, Qeveria duhet sa më parë ta hapë konkursin për ta plotësuar edhe pozitën tjetër, tashmë të lirë pas përfundimit të kryesuesit, Krenar Bujupi, më 15 maj 2017.

Mundësia për pezullim të punës së ZRRE-së si rregullator në sektorin e energjisë; vonimi i procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të ZRRE-së do të çojë në zvarritjen e mëtutjeshme të çështjeve, për të cilat është kompetente ZRRE dhe vendi mund t’i përjetojë pasojat në terma afatgjatë. Andaj, i bëjmë thirrje institucioneve të sapozgjedhura që ta vënë në prioritet këtë çështje menjëherë marrë parasysh rëndësinë e këtij rregullatori. Qeveria e sapoformuar duhet të tregohet e përkushtuar që t’i vë në lëvizje të gjitha proceset që kanë mbetur peng i lojërave politike e partiake gjatë katër muajve.

KOSID, përmes anëtarëve të saj në Kuvend ka insistuar në ngritjen e mekanizmave ligjor që do të parashihnin, ndër të tjera, që bordi i ri i ZRRE-së dhe rregullatorëve të tjerë të emërohet gjashtë muaj para skadimit të mandatit të bordit ekzistues. Në këtë mënyrë, sigurohet vazhdimësia dhe funksionaliteti i këtij institucioni pavarësisht krizave politike e institucionale. KOSID e konsideron ZRRE-në akter të rëndësishëm të funksionimit të aktiviteteve të tregut të energjisë në Kosovë. Për këtë, nevojiten reforma në mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, në mbikëqyrjen e punës së tyre dhe mbi të gjitha, reforma që do të siguronin funksionalitet e vazhdimësi në punën e këtij organi jetik për tregun e energjisë në Kosovë.