Thirrje për Aplikim: ‘Shkolla Kosovare për Vajzat që Synojnë Shërbimin Civil’

50 0

Thirrje për Aplikim

Programi: ‘Shkolla Kosovare për Vajzat që Synojnë Shërbimin Civil’

Data: 28 -29 shtator 2019

Afati i fundit për aplikim: 15 shtator 2019

Dokumentet që duhet dorëzuar:  CV & Letër motivuese

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) fton vajza të moshave të reja (16-22 vjeç) të bëhen pjesë e “Shkollës Kosovare për Vajzat që Synojnë Shërbimin Civil” që do të mbahet me 28-29 shtator 2019. Ky program ju dedikohet vajzave të cilat nuk kanë përvojë të mëparshme politike, por që kanë interesim për strukturat e brendshme menaxhuese të sektorit publik, proceset vendimmarrëse në institucionet e këtij sektori, dhe për jetën publike në përgjithësi.

Përfaqësimit gjinor jo i barabartë në Kosovë mbetet një pengesë serioze në shoqëri. Duke pasur parasysh prezencën e sistemit patriarkal në shoqërinë kosovare dhe stereotipet gjinore ekzistuese, gratë ende konsiderohen më pak të afta se burrat. Kjo vërehet sidomos kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e tyre në qeverisje dhe ekonomi.

Duke synuar një përfaqësim më të lartë të grave në institucionet publike përmes aktiviteteve që ngulisin një mentalitet në favor të barazisë gjinore në grupe të ndryshme të shoqërisë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) do të organizojë “Shkollën Kosovare për Vajzat që Synojnë Shërbimin Civil”. Qëllimi i këtij programi edukues është të promovojë barazinë gjinore, angazhimin e barabartë të grave dhe burrave në jetën publike dhe proceset vendimmarrëse, si dhe fuqizimin e gruas në përgjithësi. Kjo shkollë organizohet përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Programi do të mbledhë gjithsej 15 vajza të interesuara për të përcjellë karrierën e tyre profesionale në sektorin publik, veçanërisht në pozita vendimmarrëse. Programi do të mbahet në total 3 fundjava, me tema të caktuara si më poshtë:

(Fundjava 1) Gratë në pozita të larta udhëheqëse në nivel qeveritar,

(Fundjava 2) Gratë në agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike,

(Fundjava 3) Gratë në shërbim civil.

Pjesëmarrëset do të kenë mundësi të mësojnë drejtpërdrejt nga përvojat e ligjërueseve të cilat tashmë mbajnë pozita drejtuese në institucionet publike të Republikës së Kosovës. Programi është edhe një skemë mentorimi, me anë të së cilës mentoret do të ofrojnë ndihmë për pjesëmarrëset në përpjekjen e tyre për tu bërë pjesë e sektorit publik në të ardhmen.

Shpenzimet e pjesëmarrjes mbulohen plotësisht nga programi, dhe në përfundim të tij pjesëmarrëset pajisen me çertifikatë të përfundimit të programit.

Dokumentet për aplikim:

Të interesuarat ftohen të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme të aplikimit:

  • Curriculum Vitae (CV)
  • Letër Motivuese (mes 350 – 400 fjalë)

Dokumentet e aplikimit duhet të dorëzohen në adresën elektronike office@indep.info me titull ‘Emri i aplikueses – Shkolla Kosovare për Vajzat që Synojnë Shërbimin Civil’, jo më larg se më datë 15 shtator 2019.

Related Post