Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Komunën e Drenasit dhe Qendrën për Hulumtimin e Administratës Publike (KDZ) me bazë në Vjenë; organizoi konferencën “Transparenca komunale në qeverisjen lokale: sfidat dhe sukseset”
Kjo konferencë i mblodhi përfaqësuesit e komunave si kryetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe palët e tjëra të interesuara.
Përmes kësaj konference u diskutuan sfidat ekzistuese në rritjen e transparencës komunale ndaj taksapaguesve, menaxhimin e kërkesave të qytetarëve. Për më shumë, në këtë konferencë u diskutua edhe rreth integrimit të teknologjisë informative me qëllim përfundimtar të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve.
Të ftuar në këtë panelin e parë “Transparenca komunale dhe menaxhimi i kërkesave të qytetarëve” ishin Beqir Fejzullahu, zëvendësministër i Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal; Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit; Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës; Bernhard Kabrina, Udhëheqës i programit të KDZ-së dhe Bekim Kupina, redaktor në gazetën Koha Ditore.
Drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi, e hapi konferencën duke e cilësuar transparencën primare në konsolidimin e lidhjes së qeverisjes lokale me qytetarët. Z. Ejupi tha që komunat duhet të jenë transparente edhe për dobinë e tyre pasi në mungesë të transparencës nuk dihen as punët që janë kryer si duhet nga ata.
Beqir Fejzullahu, zëvendësministër i Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal, shprehu konsideratën e tij për pjesëmarrjen në këtë konferencë. Z. Fejzullahu tha se transparenca është një ndër parimet kryesore në qeverisje. Sipas tij, transparenca e punës së Kuvendit Komunal dhe administratës së komunave, është parakusht i suksesit së demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. “Sfidë kryesore e qeverisjes lokale është niveli i ulët i transparencës në qeverisjen lokale, prandaj ky është një ndër prioritetet e kësaj qeverisjeje.” tha Z. Fejzullahu. Sipas tij, ministria është përkujdesur të hartojë akte përkatëse ligjore për forcimin e transparencës së qeverisjes lokale. Po ashtu, Z. Fejzullahu tha se ministria bën vazhdimisht vlerësimin e komunave sipas publikimit të dokumenteve të rëndësishme apo konsultimeve me publikun. Ndërkaq, sipas tij, sfidë mbetet hartimi i politikave që do t’ua mundësonin qytetarëve të marrin pjesë në vendimmarrje dhe politikëbërje.
Ndërkohë, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se transparenca dhe llogaridhënia janë elemente bazë të qeverisjes së tij sepse përbëjnë zotime ndaj qytetarëve. Z. Lladrovci tha se komuna e Drenasit është dëshmuar për transparencë përmes hartimit të dokumenteve të brendshme që e ndihmojnë për transparencë komunale. Sipas Z. Lladrovci, ai ka pasur takime të vazhdueshme me shoqërinë civile dhe palët e interesit para hartimit të buxhetit të komunës për vitin 2018 dhe se ai është hartuar krahas kërkesave të qytetarëve.
“Komuna e Drenasit e ka rregulluar me aspekt ligjor për transparencë. Jemi në proces të miratimin për planin për transparencë për vitin 2020-21. Këtë vit për t’ia lehtësuar qytetarëve marrjen e dokumenteve personale këtë vit kemi bërë e-kioskun. Qytetari tashmë nuk pret më shumë se 2 minuta është krijuar disiplinë, dhe që nuk e ka respektuar këtë kanë rënë ndesh me ligjin. Gjatë hartimit të buxhetit kemi takuar me të gjithë banorët dhe kemi marrë këshilla na ata.”
Z. Lladrovci, po ashtu, e përmendi edhe platformën Investometri.com si mjet që ka ndihmuar në informimin e qytetarëve për investime kapitale dhe rritjen e transparencës.
Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se komunat punojnë çdo ditë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Sipas Z. Ibrahimi, kryetarët e komunave dhe drejtorët përgjatë vitit kanë më shumë se 100 takime me qytetarët. “Në vlerësimet e ndryshme që kanë dalë, mund të them që autoritetet lokale janë institucionet më të besueshme të qytetarëve – mbi 60% janë shprehur se janë të kënaqur me shërbimet që ofrohen nga komuna dhe nga transparenca e tyre.” .
Ndërkaq, Udhëheqës i programit të KDZ-së, Berhard Kabrina, solli shembuj se si arrihet transparenca e qeverisjes lokale në Austri dhe si është integruar teknologjia në lehtësimin e informimit të qytetarëve sa i përket projekteve. Z. Kabrina tha se transparenca në komunat e Kosovës është pothuajse e përafërt me ato të Evropës. Ai tha se duhet të ekzistojë një dallim mes dokumenteve që janë të rëndësishme dhe të dhënave që mund të gjinden në to. Z. Kabrina tha se komunat duhet të publikojnë jo vetëm dokumente, por të dhëna që mund të shërbejnë për t’u shfrytëzuar për qëllime të tjera. “Nëse vetë komunat nuk janë transparente, të tjerët i bëjnë transparentë – si OJQ-të dhe akterët tjerë – kështu që më mirë është që qeverisja lokale të jetë e gatshme te jetë vetë transparente.”.
Z. Kabrina, po ashtu, tha se duhet të kihet kujdes se cilat të dhëna duhet të publikohen. Ai e përmendi portalin online të Prishtinës, në të cilin janë publikuar emrat e personave që kanë kërkuar asistencë sociale. Sipas Z. Kabrina, kjo përbën shkelje të privatësisë. “Duhet të filtrohen të dhënat që publikohen, statistikat kryejnë punë, por jo emrat e njerëzve – sepse askush nuk duhet ta dijë këtë të dhënë.” tha Z. Kabrina.
Në anën tjetër, Bekim Kupina, redaktor i gazetës Koha Ditore, tha se ekziston një lloj transparence një drejtimëshe sa i përket komunave. Sipas Z. Kupina, edhe rrjetet sociale të kryetarëve të komunave edhe zyrat e informimit të komunave përkatëse shërbejnë si platforma për prezantimin e sukseseve të tyre. Z. Kupina insistoi që mos të përdoren rrjetet sociale si zëvendësim për komunikim direkt të kryetarëve me qytetarët. Ai gjithashtu e ngriti çështjen e mungesës së kuadrove në zyrat e informimit. Sipas Z. Kupina zyrat e informimit janë pasive, japin informata të reduktuara që nuk u hynë në punë medieve. Ai avokoi që kjo çështje të adresohet në institucionet përkatëse që t’u lejohet komunave të kenë mundësi për më shumë staf në zyrat e informimit, ndërkaq këto të fundit të jenë në dispozicion të mediave.
Ndërkaq në panelin e dytë “Transparenca në investimet kapitale dhe përdorimi i teknologjisë informative” të ftuar ishin Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi; Zëdhënësi i komunës së Drenasit, njëkohësisht kryetar i Kolegjiumit për transparencë, Bekim Dobra dhe Adem Haliti, zëdhënës i komunës së Obiliqit. Panelistët prezantuan punën që kanë bërë komunat e tyre në rritjen e transparencës ndaj qytetarëve dhe se si e kanë integruar teknologjinë informative në këtë aspekt.
Të pranishmit i shprehën pakënaqësitë e tyre sa i përket mosgatishmërisë së disa komunave për të bashkëpunuar me OJQ të ndryshme që do t’u ndihmonin ta rrisnin transparencën. Po ashtu, ata kritikuan mungesën e mirëmbajtjes së ëebfaqeve të komunave, ku nuk ofrohen informata të përditësuara.