Prishtinë, 25 Qershor, 2019 – Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizuan tryezën e rrumbullakët me temë: “Kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe kost-efektivitetin e tyre.” Diskutimi u përqendrua në progresin e deritanishëm të Kosovës në arritjen e objektivave të energjisë së ripërtëritshme, mundësive të burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE), klimën aktuale për investime, si dhe kost-efektivitetin e tyre
Në tryezë u bë një shpalosje e prezantimeve të të gjeturave kryesore, nga akterët relevant të sektorit të energjisë në vend, ku u theksua rëndësia e kalimit nga format konvencionale të prodhimit të energjisë në ato të ripërtëritshme. U përmend edhe rëndësia e kalimit nga forma e thjeshtë e subvencionimit, nga tarifat nxitëse në ato që ju përafrohen çmimeve të tregut, – ankandeve, por edhe u diskutua mbi rëndësinë dhe vlefshmërinë e BRE-ve në shëndet dhe produktivitetin e shoqërisë.
U përmenden çështje me rëndësi, por edhe shqetësimet e sektorit privat dhe të shoqërisë civile. Përfaqësues nga bizneset në energji të ripërtëritshme theksuan vështirësitë e mëdha që ata hasin në këtë sektor, posaçërisht në çështjet e aplikimeve dhe proceseve burokratike por edhe të pengesave tjera, sidomos të kyçjes në rrjet. Vonesa këto që marrin muaj të tërë por edhe vite.
Në fjalimin e tij hyrës, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se, duke u bazuar në të dhënat e Eurostat, Kosova i plotëson 24% të energjisë me energji të ripërtëritshme por vlenë të përmendet niveli i kontestueshëm që supozohet se vjen nga biomasa. “Me numra qëndrojmë mirë, më mirë se vendet në rajon, por realiteti lë shumë për të dëshiruar. Duhet të përmirësohet pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme,” shtoi Lluka.
Agron Demi, nga Institutit GAP tha se: “Nuk kishte asnjë kapacitet nga energjia solare apo era në vitin 2011 dhe niveli i BRE-vë ishte i ulët, por tetë vite më vonë po diskutohet gjerësisht për këto kapacitete. Të dhënat e deritanishme tregojnë se integrimi i gjërë i BRE-ve është i mundshëm në sistemin tonë energjetik. Investimet në erë, në Kitka 32 MW dhe SOWI 105 MW i kemi tani më se dy projekte te suksesshme që kanë hapur rrugën në këtë sektor.”
Harry Boyd-Carpenter nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) theksoi se BERZH sot ka nënshkruar një kredi prej 18 milionë eurosh për parkun tjetër energjetik me erë të Kitkës. Sipas Boyd-Carpenter, BRE-të po përparojnë bukur shpejtë si në aspektin teknologjik dhe atë të kostos. Madje, BRE-të konsiderohen si formë e sigurtë me çmime të ulëta të energjisë të cilat edhe ofrojnë mbrojtje nga taksa e karbonit. Këto burime janë të qëndrueshme, kur çmimet janë të qëndrueshme dhe transparente.
Arbnor Kastrati, përfaqësues nga AKUO Energji, tha se “Kjo temë është me rëndësi jo vetëm për ne si akterë. Sektori i energjisë duhet të ndryshojë dhe është lajm i mirë se në Kosovë ka lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ka pak kapacitete ekzistuese dhe definitivisht duhet të ketë edhe më shumë. Sa është ndikimi për konsumatorin final është me rëndësi dhe duhet të ketë më shumë vetedijësim kur e vlerësojmë se a marrim energji nga thëngjilli apo nga energjia e gjelbër.”
Learta Hollaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) vuri në theks tarifat nxitëse (feed-in tariffs) që sipas saj kanë qenë të arsyeshme në kohën kur janë prezantuar. Hollaj bëri thirrje që të implementohen mekanizma të tjerë për stimulimin e investimeve në këtë sektor, si për shembull ankandet dhe premiumet. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia vetëm kanë filluar me implementimin e këtyre mekanizmave kështu që është e arsyeshme që Kosova të vazhdojë në po këtë rrugë.
Ymer Fejzullahu nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) theksoi se në Kosovë për shkak të problemeve dhe mungesës së financimit kemi probleme edhe kemi pasur ende nevojë për një formë të subvencionimit të kësaj teknologjie. Sipas Fejzullahut, nuk ka të drejtë një investitor të ketë dy forma të subvencionimit. Nëse një kompani e merr statusin e investitorit strategjik dhe merr grant, nuk mund të pranojë edhe tarifën nxitëse. “Raportet konsultative janë të hapura për të gjithë, merren parasysh rekomandimet e arsyeshme kurse Bordi i ZRRE-së i merr vendimet. Skema duhet te jetë konkurruese dhe ankandet janë padyshim forma më e mirë. Këto garantojnë qëndrueshmërinë e kësaj skeme,” shtoi Fejzullahu.