Sot më datë 30 tetor 2019, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëorganizim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) mbajti ngjarjen me titull SDG Brunch, specifikisht me temë ‘Ndotja e ajrit në Kosovë: Prej perspektivës së OZHQ-ve dhe Agjendës 2030’. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si UNDP, OKB, UNMIK, UNICEF dhe OBSH, përfaqësues të institucioneve vendore si Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, etj., përfaqësues të shoqërisë civile, media e qytetarë.
Ngjarja u hap me lansimin e kampanjës vetdijesuese lidhur me ndotjen e ajrit në Kosovë, e cila përfshinte mesazhe vetdijesuese nga ftyra të njohura për publikun, qytetarë të rëndomtë dhe grupe të margjinalizuara. Më pas, pasoji kuizi i cili vlerësoi njohuritë gjenerale të audiencës mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të) dhe Agjendën 2030 në përgjithësi.
Në fjalën e saj hyrëse, znj. Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), dha disa shifra lidhur me ndikimin negative të ajrit të ndotur në shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, znj. Humolli theksoi se jetëgjatësia mesatare e qytetarëve tanë është 11 vite më e ulët se e atyre të Bashkimit Evropian, e kjo për shkak se Kosova e ka ajrin më të ndotur në mesin e shteteve të Evropës. Znj. Humolli bëri thirrje për rritje të vetëdijes dhe bashkëpunim të të gjithë akterëve kyç të fushës dhe qytetarëve.
Folësi i rradhës, drejtori ekzekutiv i INDEP, z. Burim Ejupi, e vlerësoi si shumë pozitiv faktin që ndotja e ajrit tashmë po diskutohet shumë shpesh mes institucioneve dhe qytetarëve, për shkak se ndotja e ajrit është faktor i cili ndikon në baza ditore tek shëndeti i përgjithshëm i qytetarëve. Z. Ejupi, potencoi se Qeveria në ardhje duhet të ketë një plan konkret mbi zbatueshmërinë e Agjendës 2030 duke marrë parasysh rekomandimet që i kanë përpiluar organizata joqeveritare vendore të cilat janë të profilizuara në zhvillim të qëndrueshëm, duke përfshirë këtu edhe INDEP-in. Si masë konkrete, z. Ejupi dha vënjen e akcizës në dizel sepse dihet se ky i fundit është karburanti i cili është një kontribuesit më të mëdhenj të ndotjes nga veturat.
Hulumtuesit nga organizatat joqeveritare, Learta Hollaj nga INDEP dhe Elion Gërguri nga Balkan Green Foundation (BGF), mbajtën një prezantim të përbashkët mbi gjendjen aktuale të ajrit në Kosovë si dhe mundësitë që të gjithë ne të kontribuojmë në përmirësimin e kësaj gjendje. Ata dhanë shifra se 3,800 vdekje të parakohshme kanë ndodhur në Kosovë deri në vitin 2016 si rezultat i ndotjes së ajrit. Shkaktarët kryesor të këtyre vdekjeve vlerësohen të jenë gyrëthyesit e shumtë, fabrikat prodhuese dhe termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), z. Arblir Pireva, prezantoi të gjeturat e projektit ‘Healthier Kosovo’ [shqip: Kosovë më e shëndetëshme]. Z. Pireva tha se edhe pse gjendja është e keqe dhe alarmante në terren, 69% e qytetarëve sipas shifrave të UNDP-së, janë të gatshëm t’ju bashkohen iniciativave për zgjidhjen e problemeve mjedisore. Ndërkaq, përfaqësuesja e UNICEF, znj. Dafina Muçaj, foli në detaje për rëndësinë e ajrit sa më cilësor në zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Znj. Muçaj prezantoi një video të shkurtër të punuar nga ekipi i UNICEF, e cila ilustroi sesi zhvillohet truri i fëmijëve në ajër të ndotur krahas atij të pastër. Në fund, znj. Muçaj bëri thirrje për mbështetje të prodhimit energjetik nga burimet e ripërtërritshme pasiqë minimizojnë efektet negative në shëndetin publik.
Ngjarja u përmbyll me panelin e përbërë nga të gjithë folësit paraprakë të cilët iu përgjigjën pytjeve të parashtruara nga audienca.