Të enjten, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mbajti një diskutim rreth mbulimit dhe kualitetit të raportimit të mediave të shkruara për sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë. Kjo tryezë kishte për qëllim diskutimin mbi hapësirën që mediat e shkruara i japin temave që ndërlidhen me zhvillimin e qëndrueshëm si dhe identifikimin e mangësive kryesore me të cilat përballen mediat e shkruara në këtë fushë.
Në këtë tryezë gjithashtu është publikuar studimi me rezultatet e monitorimit gjashtëdhjetë ditor të mediave të shkruara kombëtare në Kosovë për sa i përket të njëjtës temë. Gjatë prezantimit të punimit u konstatua që mbulimi i çështjeve të zhvillimit të qëndrueshëm është i cektë dhe i pamjaftueshëm.
Zhvillimi i qëndrueshëm, në thelb, është një proces i cili synon t’i plotësojë nevojat e tanishme pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për t’i plotësuar nevojat e tyre. Si i tillë, ky proces përfshin një sërë sferash si ambienti, energjia, zhvillimi ekonomik, aspektet sociale të konkurrencës ekonomike, ruajtjen e burimeve natyrale, etj.
“Të gjeturat nuk kanë qenë të kënaqshme. Gjatë periudhës prej 60 ditësh kemi gjetur vetëm 165 artikuj për çështje rreth zhvillimin e qëndrueshëm, por jo drejtpërdrejtë për këtë çështje,”, ka thënë Shkamb Qavdarbasha, njëri nga autorët e punimit. Për më tepër, ata pak artikuj që kanë mundur të identifikohen, janë cilësuar si të cekët nga ana e mbulimit, për arsyen që rrallë herë janë identifikuar artikuj që kanë qenë analitikë nga natyra. “Rreth 60% e artikujve të identifikuar zinin hapësirë më pak se 50% të faqes”, shtoi Qavdarbasha. Po ashtu, hapësira që i jipet lajmeve që për temë kanë zhvillimin e qëndrueshëm lë shumë për të dëshiruar, duke pasur parasysh faktin se shumica dërrmuese e artikujve të monitoruar janë gjendur thellë nëpër faqet e gazetave.
Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Ellie Teichman, duke e përgëzuar punën që e ka bërë INDEP; e ka shprehur rëndësinë që e ka mbulimi i saktë i çështjeve të zhvillimit të qëndrueshëm tek informimi i elektoratit dhe popullatës së gjerë.
Visar Azemi nga Konsorciumi i Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID, theksoi rëndësinë e mediave në ngritjen e vetëdijësimit qytetar për zhvillimin e qëndrueshëm. “Mediat duhet të jenë partneri kryesor në zhvillimin e qëndrueshëm. Jo vetëm duke raportuar për të gjeturat por edhe duke ndryshuar sjelljen e qytetarëve dhe institucioneve ndaj zhvillimit të qëndrueshëm”, tha z. Azemi. Të pranishmit u pajtuan që me angazhimin më të madh të medias së shkruar në mbulimin e zhvillimit të qëndrueshëm, ky koncept do të zinte vendin e merituar edhe tek politikëbërësit.
Kjo tryezë dhe analizë janë mundësuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.