Tryeza u hap nga Drejtori Ekzekutiv, Burim Ejupi, i cili tha se INDEP ka përkrahur përherë nismat ligjore me analizat dhe sugjerimet e Institutit dhe mëton të ofrojë hapësirë për diskutim të palëve të ndryshme për diskutimin e këtyre nismave ligjore.
Në fjalën e saj hyrëse, deputetja dhe kryesuesja e grupit punues për hartimin e Projektligjit për Miniera dhe Minerale, Sala Berisha Shala, së pari falenderoi INDEP për përkahjen e vazhdueshme që i ofron Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri. Ajo tha se pas monitorimit që ky komision i ka bërë zbatimit të ligjit ekzistues për Miniera dhe Minerale, në bazë të takimeve me palët e interesit dhe të tjera, ka rezultuar se ky ligj ka qenë duke u zbatuar por se ka pasur nevojë për ndryshime. Andaj, sipas saj, ata kanë vendosur ta hartojnë një ligj të ri, por që bazohet në ligjin ekzistues. “Ne kemi identifikuar bukur shumë elemente që i mungojnë këtij ligji, ose që duhet të ndryshohen apo plotësohen. Rekomandimet e dala nga raporti i grupit punues si çështja e garancionit, parqeve nacionale, One Stop Shop-it e çështjeve të tjera që s’kanë qenë të rregulluara me ligjin ekzistues, janë përfshirë në këtë draft-projektligj për miniera dhe minerale.” shtoi znj. Shala-Berisha. Më tej, znj. Shala-Berisha tha se ky zhvillimi i sektorit për miniera dhe minerale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe se ky ndryshimet e bëra dhe të bartura në draft-projektligj mëtojnë ta lehtësojnë qasjen e kompanive dhe bizneseve në këtë sektor.
Përfaqësuesi i Komisionit të Pavarura për Miniera dhe Minerale, Musa Shabani, tha se KPMM e ka mandatin e tij për ta zbatuar ligjin në terren, rrjedhimisht është zbatuesi kryesor i ligjit; agjenci e pavarur e formuar prej Kuvendit. “Vazhdimisht gjatë raportimeve në Kuvend, ne i kemi ngritë shqetësimet e bizneseve minerale për vështirësinë e zbatimit të disa pikave në këtë fushë. Çështja e garancionit – bizneset e reja që hyjnë së pari në këtë sektor, për të marrë licensën është dashur që të garantojnë me shuma të mëdha të parave për rikultivimin e mjedisit të shfrytëzuar gjatë aktivitetit të këtyre bizneseve. Kjo ka qenë barrë e rëndë për bizneset.” tha z. Shabani. Sipas tij, ky draft-projektligj do të sigurojë që garancionet do të bëhen në përputhje me projektet e parapara për shfrytëzim dhe nuk do të kërkojë që investuesit të lënë gjysmën e pasurisë së tyre për ta marrë një licensë.
Për më shumë, u pa më se e duhur dhe lehtësuese nisma për One Stop Shop, që do të lejonte eliminimin e procedurave të gjata nga një institucion në tjetrin për sigurimin e dokumentacioneve, që përmes One Stop Shop-it do të themelohet një institucion i vetëm që do t’i ofrojë të gjitha shërbimet e nevojshme në një vend.
Ndërkaq, Skender Sallahi, përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është angazhuar që sektori mineral të zhvillohet sa më optimalisht dhe racionalisht për shfrytëzimin e resurseve duke pasë parasysh edhe mbrojtjen e ambientit. Sipas tij, është e nevojshme që draft projektligji të sigurojë një kuadro ligjore për zhvillimin e këtij sektori.
Në anën tjetër, Blerim Grainca, anëtar i komisionit të ZHEIT, tha se është e nevojshme që ky sektor të rregullohet njëherë e përgjithmonë dhe ta lehtësojë marrjen e licensën për operatorët vendorë dhe ata potencialë përmes eliminimit të burokracisë që duhet kaluar për ta marrë licensën. Për më shumë ai tha se duhet të kihet parasysh edhe renta minerale, pasi deri tani nuk përfituar komuniteti direkt nga pagesat që kanë bërë kompanitë, por më shumë kanë marrë vetëm pasojat; pastaj çështja e sigurisë së punëtorëve dhe banorëve në vendet përkatëse etj.