INDEP mban tryezën virtuale me titull “Roli i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale në mbrojtjen e konsumatorit”

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), sot, më datë 7 dhjetor, në kuadër të Programit për Qeverisje Demokratike të INDEP-it dhe marrëveshjes kornizë të INDEP me Bashkimin Europian në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve ka mbajtur sot tryezën me titull “Roli i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale në mbrojtjen e konsumatorit”. Kjo tryezë për shkak të pandemisë COVID-19, u mbajt e mbyllur për publikun por u transmetua virtualisht në faqen “Mbrojtësit e Konsumatorëve” nga ora 10:00 deri në ora 11:00. Tryeza u moderua nga z.Dardan Abazi, Hulumtues i Lartë dhe Drejtor i Programit në INDEP, dhe të ftuar pati z.Pleurat Gjata, Zyrtar i Lartë Ligjor dhe Kryetar i Komisionit të ankesave në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe z.Xhavit Raci, Gjeolog Kryesor për Resurse dhe Anëtar i Komisionit të Ankesave në KPMM.
Z. Abazi nga INDEP e hapi tryezën duke theksuar rolin e KPMM-së në mbrojtjen e konsumatorit, organ ky i cili padyshim luan rol shumë të rëndësishëm në lëminë e minierave dhe mineraleve, duke elaboruar tutje edhe rëndësinë e respektimit të standardeve, sidomos atyre të sigurisë. Në fjalën e tij, z. Gjata saktësoi rolin e KPMM-së, hierarkinë e vendimmarrjes brenda KPMM-së, tutje foli për llojet e licencave që i lëshon KPMM, përgjegjësinë për zhvillimin e sektorit të minerave dhe mineraleve, procesin i cili përcaktohet nga ligji në fuqi për miniera dhe minerale, si vjen deri te lëshimi i licencave për entitetet, rolin e komunitetit në këtë proces, përgjegjësinë që kanë të licencuarit për ta rehabilituar lokacionin pas përfundimit të licencës, etj.
Z. Raci nga ana e tij sqaroi se që nga viti 2014 është lëshuar një Udhëzim Administrativ rreth rikultivimit, i cili specifikon termet se si duhet të bëhet rehabilitimi i terrenit pasi aktivitetet minerare të kenë përfunduar. Në lidhje me këtë, u theksua fakti që komunitetet duhet të jenë të vëmendshme ndaj procedurave para se të bëhet licencimi i entiteve / biznese pasi në rast se KPMM ose institucionet shtetërore heqin licencën pasi bizneset të kenë marrë pëlqimin mjedisor nga komunat, atëherë biznesi është në të drejtën e tij të padisë shtetin. Në këtë drejtim, u bë thirrje për angazhim më të madh qytetar në proceset konsultative para se të lëshohen licencat.
Video e plotë e tryezës gjendet në këtë link: https://www.facebook.com/mbrokons/videos/3368524706609252
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Monitorimi i kuadrit ligjor dhe institucional për mbrojtjen e konsumatorit në sektorët zhvillimor”, financuar nga fondet e Bashkimit Europian, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe implementuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).